Lidhje

Bota feston ndërrimin e viteve


Mbarë bota u ndriçua mbrëmë nga një skaj në tjetrin, me fishekzjarre shumëngjyrëshe që shënuan ndërrimin e viteve.

Dhjetëra mijëra vetë ishin mbledhur në qendër të Nju Jorkut në sheshin Times Square ku organizohet një nga festimet më popullore të globit. Njerëzit presin për orë të tëra për momentet e fundit të vitit që mbaron, duke numëruar dhjetë sekondat e fundit ndërkohë që globi i kristaltë rrëshqet deri në momentin kur fillon Viti I Ri. Festimet e sivjetshme u shoqëruan edhe me një mesazh mbi vlerën e gazetarisë dhe fjalës së lirë. Për herë të parë mbrëmë policia në Nju Jork përdori dronët për të garantuar sigurinë e turmës.

Në Paris festimet kryesore siç është bërë traditë, u zhvilluan në sheshin Champs-Elysees ku njerëzit u mblodhën për të parë fishekzjarret që ndriçuan Harkun e Triumfit. Qyteti i Dritave organizoi një mbrëmje spektakolare megjithëse vazhdon të jetë i mbërthyer nga protestat.

Në Berlin, banorë e turistë ishin mbledhur te Porta e Brandenburgut për të ndjekur një koncert që i parapriu fishekzjarreve të mesnatës.

Londinezët dëgjuan këmbanat nga Kulla e Sahatit, Big Ben. Ora e famshme ka qenë jashtë përdorimi për disa muaj, pasi po bëhen riparime, por u vu në përdorim për të numëruar sekondat e fundit të 2018. Në momentin e ndërrimit të viteve, fishekzjarret ndriçuan mbi Lumin Tamiz.

Rusia vazhdoi festime për orë të tëra, pasi ky vend gjigand shtrihet mbi një hapësirë të madhe të globit që përfshin disa zona kohore të cilat e shënuan mbërritjen e 2019 sipas orës përkatëse duke filluar nga Kamchatka e largët në lindje. Në Moskë, mbi 1 mijë pista akulli ishin hapur për patinatorët që e pritën Vitin e Ri nën qiell të hapur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG