Lidhje

Pelosi, thirrje për unitet në Dhomën e Përfaqësuesve


Nancy Pelosi, kryetarja e re e Dhomës së Përfaqësuesve, bëri thirrje për respekt të ndërsjellë dhe transparencë në punën e Kongresit të ri. Demokratja nga Kalifornia foli para anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dje në ceremoninë e inaugurimit të Kongresit të ri.

Nancy Pelosi mori në dorë çekiçin ceremonial nga udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy dhe iu drejtua sallës:

“Kur anëtarët e rinj të bëjnë betimin, Kongresi do të freskohet, demokracia do të forcohet nga optimizmi, idealizmi dhe patriotizmi i këtij grupi transformues”.

Zonja Pelosi shprehu krenari që udhëheq Dhomën e Përfaqësuesve ku aktualisht ka më shumë se 100 anëtare gra, numri më i madh ndonjëherë në një kohë kur Amerika do të shënojë këtë vit 100 vjetorin e të drejtës së votës për gruan. Ajo u bëri thirrje anëtarëve të Kongresit të bashkëpunojnë për të zgjidhur problemet dhe të respektojnë opinionet e të tjerëve, edhe nëse nuk janë dakord.

“Zotohem se ky Kongres do të jetë transparent, me frymë bashkëpunimi dypartiak dhe do të përpiqet të gjejë gjuhën e përbashkët mes palëve politike si në këtë dhomë, ashtu edhe në të gjithë vendin”.

Kevin McCarthy, udhëheqësi i ri i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, u zotua gjithashtu për frymë bashkëpunimi.

“Po futemi në një periudhë kur kontrolli i Kongresit është i ndarë mes dy partish, por kjo nuk është arsye për bllokim të punës apo pasivitet. Ne dëshmojmë vetitë tona më të mira kur nuk kërkojmë shpagim, por një bashkim më të përsosur”.

Presidenti Trump përgëzoi zonjën Pelosi që mori për herë të dytë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve:

“Shpresoj se do të mund të realizojmë plot gjëra së bashku. Mendoj se gjërat do të jenë pak më ndryshe se ç’e parashikojnë shumë njerëz, prandaj e përgëzoj Nancy-n”.

Një ndër detyrat e para të kryetares së re është të arrijë një marrëveshje me Presidentin Trump për sigurinë kufitare në mënyrë që të rihapen funksionet qeveritare që janë mbyllur prej dy javësh.

Demokratët në Kongres nuk kanë pranuar të miratojnë fondet për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. Presidenti Trump nuk pranon të nënshkruajë buxhetin nëse nuk përfshin 5 miliardë dollarë për ndërtimin e murit.

Demokratët dhe republikanët kanë mospajtime edhe lidhur me ndryshimet klimatike. Zonja Pelosi tha se demokratët do të kërkojnë të krijojnë vende pune me pagë të mirë në industrinë e gjelbër. Presidenti Trump ka mbështetur ringjalljen e industrisë së qymyrgurit që konsiderohet ndotëse për mjedisin.

Zonja Pelosi foli edhe për mbështetjen dhe mbrojtjen e klasës së mesme duke e quajtur shtylla mbështetëse e demokracisë amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG