Lidhje

E reja saudite i shpëton deportimit nga Tajlanda


Autoritetet tajlandeze lejuan një të re saudite që mbahej në një aeroport të Bangkokut, të largohej nën kujdesin e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, (UNHCR) ndërsa kërkon azil në një vend të tretë. 18-vjeçarja Rahaf Mohammed Alqunun mbërriti në Tajlandë nga Kuvajti të shtunën dhe u arrestua nga autoritetet tajlandeze në aeroportin e Bangkokut që kërkonin ta kthenin atë përsëri në Kuvajt. Ajo iu dorëzua organizatës së OKB-së pas një proteste ndërkombëtare, duke deklaruar se jeta e saj do të ishte në rrezik nëse ajo do të kthehej në Arabinë Saudite.

Me sa duket, e reja saudite braktisi familjen e saj gjatë pushimeve në Kuvajt duke hipur në një avion për në Tajlandë me qëllimin për të mbërritur përfundimisht në Australi. Ajo thotë se kur mbërriti në Bangkok, autoritetet ia konfiskuan dokumentet e udhëtimit.Autoritetet tajlandeze e arrestuan me synimin për ta kthyer në Kuvajt. Ajo u mbyll në dhomën e saj të hotelit nga e cila dërgoi thirrje të dëshpëruara për ndihmë.

"Më quajnë Rahaf. Jam ende në dhomë. Nuk kam asnjë zgjidhje. Më thanë se duhet të kthehem nesër. Dhe askush nuk mund të më ndihmojë tani".

Një senatore nga Australia bëri thirrje urgjente për veprim për ta çuar të renë saudite në Australi.

"Kjo është një mundësi për ne për të treguar dhembshuri të vërtetë dhe për t’u qëndruar besnik parimeve tona si një shoqëri e lirë, e drejtë dhe e denjë, e cila mbështet demokracinë dhe liritë individuale", tha Sarah Hanson-Young, senatore e Australisë Jugore.

Aktivistët e të drejtave thonë se për gratë në Arabinë Saudite, largimi nga familja mund të jetë një çështje për jetë a vdekje.

"Nëse ajo kthehet në Arabinë Saudite, pranë familjes së saj, ata do të kenë dorë të lire dhe ajo mund t’i nënshtrohet dhunës "për nderin" që ka shkelur. Arabia Saudite ka mangësi të theksuara në hetimet dhe ndjekjet penale të këtyre rasteve", thotë Phil Robertson, zëvendës drejtor për Azinë me organizatën Human Rights Watch.

Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët po i kërkohet ta ndihmojë të renë saudite.

"Sot UNHCR-ja më tha se duhen 5 ditë për të shqyrtuar kërkesën e saj për azil dhe 5 ditë të tjera për të përgatitur udhëtimin e saj në një vend të tretë", thotë Surachate Hakparn, kreu i agjencisë tajlandeze të imigracionit.

Grave saudite u caktohet një i afërm mashkull si kujdestar edhe kur janë të rritura dhe nuk mund të marrin vetë vendime. Nëse ato rebelohen, mund të ndëshkohen ose të vriten pa pasur qasje tek mbrojtja ligjore.

"Ajo është simbol i rezistencës që - si një grua e re - nuk dëshiron të diktohet dhe kontrollohet nga hierarkia mashkullore, nga sistemi patriarkal qoftë përsa i takon fesë, politikës apo shoqërisë", thotë Phil Roberston me organizatën Human Rights Watch.

Në një rast të ngjashëm në vitin 2017, një grua e re saudite u kap në Filipine, ndërsa përpiqej të arratisej për në Australi. Ajo u kthye tek familja në Arabinë Saudite dhe fati i saj qysh atëherë mbetet i panjohur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG