Lidhje

Papa prezanton aplikacionin e lutjes


Papa Françesku i bëri jehonë një aplikacioni dixhital që u mundëson besimtarëve të luten me të, të quajtur "kliko për t'u lutur", përpara Ditës Botërore të Rinisë 2019 që mbahet në Panama prej datës 22 deri në 27 janar. Vatikani ka futur një shërbim të ri në faqen e tij të internetit, që siç thuhet do t’u japë mundësi besimtarëve “të shoqërojnë Papën në një mision humanitar për botën”.

Të rinjtë nga e gjithë bota u mblodhën në Bazilikatën e Engjëjve në Kosta Rika të dielën përpara udhëtimit për në Panama për Ditën Botërore të Rinisë që mbahet në Amerikën Qendrore.

"Jemi shumë dhe është shumë mirë të takohesh me të gjithë," thotë Macarena Cors, pelegrin meksikan.

Një grup marinarësh të rinj francezë ndodhen tashmë në Panama në pritje të ngjarjes.

"Jemi 18 të rinj dhe jemi shumë të lumtur dhe të motivuar për t'u takuar me Papën dhe për t'iu përgjigjur thirrjes së tij. Nuk ka shumë vetë nga Franca dhe për ne është kënaqësi e madhe që jemi këtu", thotë Aldric Vercken, pelengrin francez.

Të paktën 2.5 milionë vetë morën pjesë në Ditën Botërore të Rinisë në Krakov të Polonisë. Por ngjarja u errësua nga protestat lidhur me raportet që dëshmojnë se Vatikani kambuluar abuzimet seksuale të priftërinjve katolikë.

Gjatë fjalimit të tij të së dielës për dhjetëra mijëra vetë në sheshin e Shën Pjetrit, Papa bëri thirrje për lutje për suksesin e Ditës Botërore të Rinisë në Panama.

"Ftoj të rinjtë të shkarkojnë aplikacionin “kliko për t’u lutur”, duke vazhduar të luten me mua sidomos gjatë Ditës Botërore të Rinisë në Panama".

Aplikacioni është pjesë e platformës më të fundit dixhitale të Vatikanit, Rrjeti Botëror i Lutjes me Papën.

"Do vendos këtu qëllimet dhe kërkesat për lutje rreth misionit të Kishës" tha Papa Françesku.

Javën e kaluar, Papa tha se takimi i ardhshëm është organizuar posaçërisht për të rinjtë nga komunitetet indigjene në nivel botëror.

Tema për Ditën Botërore të Rinisë në Panama: "Jam shërbëtor i Zotit" u njoftua në tubimin e vitit 2016 në Poloni. Papa zgjodhi një fjali nga ungjilli sipas Lukës, që shumë thonë se pasqyron përulësinë dhe shqetësimin e tij për të varfërit dhe shtresat më të rrezikuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG