Lidhje

Britani, rindizet debati për emigracionin


Britania deklaroi gjendjen e emergjencës këtë muaj, pas një rritjeje të ndjeshme të numrit të emigrantëve që përpiqen të kalojnë nga Franca drejt Anglisë nëpërmjet varkave të vogla. Janë mobilizuar patrulla të marinës dhe siguria është rritur në të dy krahët e kanalit. Siç njofton nga Londra, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, prurjet e emigrantëve dhe reagimi i qeverisë po ushqejnë atmosferën e nxehtë politike për çështjen e emigracionit në Britani.

Anijet u tërhoqën nga misioni i përbashkët i Bashkimit Evropian në Detin Mesdhe dhe po patrullojnë tashmë ujërat detare mes Britanisë dhe Francës. Sekretari i Brendshëm, Sajid Javid, ngre pikëpyetje rreth motivimit të atyre që kërkojnë azil në Britani.

“Nëse janë azilantë të vërtetë, atëherë përse nuk kërkojnë azil në vendin e parë ku mbërrijnë? Franca nuk është vend që konsiderohet i pasigurtë”, thotë zoti Javid.

Qeveria thotë se mbi 400 emigrantë janë përpjekur të kalojnë ngushticën detare gjatë tre muajve të fundit, shpesh me gomone, megjithë stinën e dimrit. Shumica e tyre duket se janë nga Irani.

Është një udhëtim i mbushur me rreziqe. Kjo është një ndër vijat më të ngarkuara tregtare dhe ka rryma dhe valë të forta.

Ndërsa fokusi politik ka qenë tek numri i emigrantëve që kanë ardhur në brigjet britanike gjatë javëve të fundit, shumica e azilkërkuesve nuk rrezikojnë ta kalojnë kanalin me varka të vogla.

Shumica arrijnë në rrugë ajrore. Të tjerë përpiqen të fshihen në kamionët që udhëtojnë drejt Britanisë. Ekspertët thonë se rritja e sigurisë në portet franceze mund t’i ketë shtyrë emigrantët të tentojnë kalimin me varka.

Noorulhadi Oryakheil iu largua talebanëve në vendin e tij, Afganistan, dhe mbërriti në Britani i fshehur në një kamion-frigorifer tre vjet më parë, në moshën 16-vjeçare.

“Kur u nis kamioni dhe filloi punën frigoriferi, u bë shumë ftohtë. Qëndruam në mes duke përqafuar njëri-tjetrin. Kur u hap dera, u larguam me vrap. Pastaj po ecnim përgjatë autostradës dhe na mori policia”, thotë zoti Oryakheil.

Ai fitoi statusin e azilantit dhe u ndihmua nga rrjeti për refugjatët KRANT, i cili ndihmon posaçërisht të miturit e pashoqëruar, duke iu ofruar strehim, arsim dhe nevojat bazë.

Bridget Chapman, e rrjetit KRANT, thotë se reagimi i qeverisë ndaj fluksit të emigrantëve po udhëhiqet nga politika.

“Është një krizë, pasi njerëzit po shtrëngohen të vënë jetën në rrezik për të paraqitur një kërkesë për azil. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Dhe mendoj se bëhet fjalë për rreth 250 persona, gjatë një periudhe prej 2 muajsh e gjysmë. Kjo nuk është krizë. Mes pushtetarëve ka shumë që po manovrojnë për t’u treguar sa më të ashpër me emigracionin, pasi mendojnë se u krijon mundësinë për të marrë në dorë drejtimin. Për mua, kjo është të luash politikë me jetën e njerëzve”, thotë zonja Chapman.

Qeveria i mohon këto akuza dhe thotë se mobilizimi i mjeteve të marinës është i nevojshëm për të mos i inkurajuar trafikantët dhe emigrantët të ndërmarrin një udhëtim të tillë, të rrezikshëm.

Të tjerë thonë se anijet mund të shtyjnë më shumë emigrantë ta ndërmarrin këtë udhëtim, pasi kështu kanë më shumë shpresa se do të shpëtohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG