Policia shqiptare dhe roja bregdetare italiane “Guardia di Finanza” bllokuan sot një gomone dhe disa qindra kilogramë marijuanë që synohej të transportohej në Itali. Sipas policisë shqiptare operacioni nisi mëngjesin e së martës me zbulimin nga forcat kufitare të Vlorës të një mjeti lundrues disa milje në det. Sipas policisë mjeti detar më pas është vënë në ndjekje nga roja bregdetare shqiptare dhe italiane.
Sipas policisë ndjekja e trafikantëve nga mjetet policore i ka detyruar ata të futen në Grykëderdhjen e Lumit Vjosa, në zonën midis Fierit dhe Vlorës ku kanë braktisur mjetin e lundrimit dhe kanë arritur të largohen. Policia sekuestroi në zonë mjetin lundrues, 2 automjete që kishin transportuar lëndën narkotike dhe disa qindra kilogramë marijuanë.
Ndërkohë policia italiane tha të martën në mesditë se zbuloi një tjetër sasi me rreth 150 kilogramë marijuanë në Kozenca, në zonën e Italisë Jugore, që dyshohet me prejardhje nga Shqipëria. Lënda narkotike u gjet e fshehur në dyshemenë e një kamioni që drejtohej nga një 32 vjecar shqiptar. Policia italiane tha se nëse lënda narkotike do të shpërndahej në tregun kriminal të narkotikëve do të kapte vlerën e një milionë eurove.
Facebook Forum