Autoritetet amerikane pritet së shpejti të japin dënimin për Maria Butinën, 30-vjeçaren ruse që mbahet në një burg amerikan. Ndaj saj u ngritën akuza për konspiracion dhe për veprimtari agjenturore të huaj, ndërsa ka pranuar akuzën për konspiracion për të ndikuar politikën amerikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina-Montanana shkoi në qytetin Barnaul, të Siberisë, për të biseduar me familjen e zonjës Butina rreth rastit të saj që po ndiqet me vëmendje nga mbarë bota.
Dhjetë mijë kilometra larg burgut në Virxhinia ku Maria Butina mbahet që në muajin qershor, prindërit dhe motra e saj mblidhen në shtëpinë e familjes së tyre në qytetin Barnaul, në Siberinë perëndimore.
Këtu, askush nuk dyshon tek pafajësia e Marias. Babai i saj, si të tjerë, beson se ajo vetëm po përpiqej të krijonte lidhje me amerikanë.
“Na duket shumë e panatyrshme të akuzosh dikë për dëshirën për t’i parë marrëdhëniet mes dy vendeve të mira, më miqësore. Kjo vlen edhe më shumë po të kemi parasysh marrëdhëniet aktuale mes dy vendeve. Maria gjithnjë ka dëshiruar të shikojë marrëdhënie miqësore mes dy vendeve tona”, thotë zoti Butin.
Faturat për shpenzimet ligjore po shtohen dhe familja është në vështirësi. Mbështetja politike që duket se po marrin nga Kremlini, ata thonë se nuk po shoqërohet me mbështetje financiare.
“Familja ime u alarmua shumë nga këto zhvillime dhe ne bëjmë thirrje rregullisht për ndihmë përmes mediave, pasi shpenzimet për avokatët në Amerikë janë shumë të larta”, thotë Marina Butina, motra e Maria Butinas.
Maria Butina studio në këtë qytet dhe ngriti bazat e karrierës së saj në Shkollën e Politikës së Vërtetë, ku trajnohen lobistët e rinj në politikë.
Prokurorët amerikanë thonë se kanë prova që dëshmojnë se Maria Butina mbante kontakte me zyrtarë të shërbimit rus të zbulimit. Por, për mësuesin e saj, si dhe për opinionin publik rus, Maria Butina është viktimë e betejave të brendshme të Uashingtonit.
“Mendoj se kjo nuk është një çështje mes Rusisë dhe Amerikës. Nga perspektiva ime dhe nga thellimi në real-politikë, kjo është një çështje e brendshme amerikane. Me fjalë të tjera, mes Trump-it dhe rrethit të tij, si dhe demokratëve”, thotë Konstantin Emeshin, themelues i Shkollës së Politikës së Vërtetë.
Në Moskë, rasti i zonjës Butina paraqitet si një tjetër agresion i Perëndimit ndaj Rusisë.
Në qytetin Barnaul, tensionet mes Moskës dhe Uashingtonit e mbajnë familjen e Maria Butinas në një rreth vicioz.
Ata vetëm munden të shpresojnë që vajza t’iu kthehet në shtëpi së shpejti.
“Mezi presim. Nuk imagjinoj dot as si do jetë ai moment. Do ta përqafojmë njëra-tjetrën dhe ndoshta do të qaj pak. Por, me siguri do të jenë lotë gëzimi”, thotë Irina Butina, nëna e Maria Butinas.
Maria Butina ka pranuar fajësinë për njërën prej akuzave, atë të konspiracionit për të influencuar politikën amerikane, dhe ndërkohë pritet dënimi i saj, ndoshta edhe deportimi.
Beteja që rasti i saj ka krijuar mes Moskës dhe Uashingtonit, ka ngjallur drithërima tek shumë prej njerëzve në këtë qytet të largët siberian.
Facebook Forum