Lidhje

SHBA, BE përshëndesin ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës


ShBA dhe Bashkimi Evropian e përshëndetën ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës nga Greqia.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo shkruan në një komunikatë se “drejtuesit e Greqisë treguan vizion, guxim dhe këmbëngulje në synimet e tyre për të zgjidhur problemin e emrit që do t’i mundësojë Republikës së ardhëshme të Maqedonisë së Veriut që ta marrë vendin e saj që i përket në NATO dhe BE. SHBA-të e mbështesin këtë mundësi historike për përmirësimin e qëndrueshmërisë, sigurisë dhe mirëqenies në rajon”, - shkruan Sekretari Pompeo.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, John Bolton uroi dy kryeministrat, Tsipras dhe Zaev. “Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë arritje të mrekullueshme, e cila do të ndihmojë qëdrueshmërinë dhe mirëqenien në Ballkan”, shkruan zoti Bolton.

Drejtuesit e Komisionit dhe Bashkimit Evropian, Jean-Claude Juncker, Donald Tusk, Federica Mogherini e Johannes Hahn, theksojnë “guximin politik, lidershipin dhe përgjegjësinë për kapërcimin e njërit prej problemeve më të vështira në rajon”. Presidenti i KE-së, Tusk e cilëson marrëveshjen si plotësim të një misioni të pamundshëm. “Ata (Tsipras dhe Zaev) kishin fantazitë e tyre, morën rrezikun përmbi vete dhe ishin të gatshëm për t’i flijuar interesat e tyre personale për një të mirë më të madhe”, shkruan zoti Tusk.

Sekretari i Përgjitshëm i NATO-s Jens Stoltenberg shkruan se pret me padurim që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e Aleancës Veriatlantike.

Qeveria e Maqedonisë i uroi qytetarët e të dy vendeve për “paqen, përparimin dhe zhvillimin që e sjell ratifikimi i Marrëvehshjes”, thuhet në një komunikatë. Shkupi inkurajoi popujt e të dy vendeve që ta thellojnë bashkëpunimin, lidhjet dhe miqësinë midis tyre.

I pari që uroi kryeminstrin grek Alexis Tsipras ishte kolegu i tij maqedonas Zoran Zaev, i cili përmes twitter-it shkruan: “Urime, miku im Tsipras, së bashku me popujt tanë shkruajtëm fitoren historike. Qoftë përjetë Marrëveshja e Prespës, paqja dhe përparimi në Ballkan dhe në Evropë”, - shkruante Zaev.

Shkupi nuk e fsheh kënaqësinë për dhënien fund të problemit rreth tre dekadash, ndërsa autoritetet qeveritare maqedonase e vlerësojnë aktin e miratimit si një model të ndërtimit të miqësive dhe bashkëpunimit midis popujve në Ballkan.

Ndërkohë, në Athinë, kryeministri grek Tsipras shkruante po në twitter se: “Sot lindi Maqedonia e Veriut. Ajo do të jetë mike dhe aleate e Greqisë në përpjekjet për siguri, qëndrueshmëri dhe zhvillimin reciprok në rajon.

“Gjeneratat e ardhëshme në të dy vendet tona do t’u jenë mirënjohës atyre anëtarëve të parlamentit, të cilët, duke treguar trimëri dhe guxim, vendosën themelet e një të ardhmeje paqësore, solidaritet dhe bashkëjetesë midis popujve tanë”, - theksonte zoti Tsipras.

Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e përshëndeti ratifikimin, duke uruar kolegët e tij Tsipras dhe Zaev për arritjen historike, siç e quan. Ratifikimin e përshëndetur gjithashtu presidenti Ilir Meta. Ndërkaq, Partia Demokratike e Lulzim Bashës e shikon marrëveshjen si një mundësi për hapjen e rrugës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO.

Pas pak javësh në Parlamentin grek pritet të votohet edhe protokolli aderues për në NATO i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kështu parashikon marrëveshja e Perspës e arritur në qershorin e 2018-s. Sipas kësaj, Greqia do të jetë vendi i parë që do t’i japë dritën jeshile anëtarësimit të vendit fqinj në Aleancën Veriatlantike. Shkupi, ndërkohë shpreson se në takimin e radhës të nivelit të lartë të NATO-s të marrë ftesë për anëtarësim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG