Lidhje

Analistët, pengesa të shumta në negociatat për paqe në Afganistan


Negociatorët amerikanë dhe talebanë thonë se kanë rënë dakord për kornizën e një marrëveshjeje paqeje që ka për qëllim dhënien fund të përfshirjes 17 vjeçare të Shteteve të Bashkuara në konfliktin e Afganistanit. Korniza për marrëveshjen u hartua gjatë gjashtë ditë bisedimesh javën e kaluar në Katar. Analistët thonë se ka shumë pengesa në rrugën e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqësore për Afganistanin.

Marrëveshja do të përfshinte tërheqjen e rreth 14,000 trupave amerikane nga Afganistani në këmbim të një angazhimi nga grupi islamik për të ndalur dhunën dhe për të refuzuar strehim të sigurt për grupet terroriste.

"Prioriteti ynë është t'i japim fund luftës në Afganistan dhe të sigurojmë që në Afganistan nuk do të ketë më kurrë baza për terrorizmin ".

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders u tha gazetarëve të hënën se negociatat do të vazhdojnë, por nuk pranoi të japë hollësi.

Zalmay Khalilzad, Përfaqësuesi Special amerikan për Pajtimin në Afganistan, ishte në Kabul gjatë fundjavës për të njoftuar Presidentin Ashraf Ghani mbi ecurinë e bisedimeve. Gani bëri një tjetër thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me grupin islamik.

"U bëj thirrje talebanëve që të shpëtojnë nga planet e mbrapshta të të huajve dhe të tregojnë vullnetin e tyre afgan, të pranojnë kërkesat afgane për paqe dhe të hyjnë në bisedime serioze me qeverinë afgane".

Udhëheqësit talebanë deri tani kanë refuzuar bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë, të cilën ata e quajnë "kukull" e SHBA.

Ish ambasadori amerikan James Dobbins thotë se të dyja palët kanë arritur në përfundimin se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin, por shton se duhet të tejkalohen ende shumë pengesa.

"Së pari — a janë talebanët të gatshëm të flasin me qeverinë afgane dhe të ndalin luftimet ndërsa bisedojnë? Së dyti – a do të arrijnë negociatat me qeverinë afgane të prodhojnë një marrëveshje për disa ndryshime të reja në qeverisjen e Afganistanit? Dhe së treti – a do të zbatohet kjo marrëveshje?"

Aktivistët e të drejtave thonë se çdo marrëveshje e qëndrueshme duhet të adresojë të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtat e grave.

"Nëse palët në bisedimet e paqes, duke përfshirë qeverinë amerikane dhe afgane, përjashtojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave nga bisedimet, kjo nuk do të favorizonte një paqe të qëndrueshme, por vetëm një marrëveshje politike afatshkurtër".

Sima Samar, mbështetëse e të drejtave dhe ish-ministre për çështjet e grave në Afganistan, i tha Zërit të Amerikës se ekziston një tjetër parakusht i rëndësishëm për suksesin e çdo marrëveshjeje paqeje.

"Nëse pala talebane nuk kërkon ndjesë për popullin e Afganistanit dhe për veprimet e tyre të dhunshme, nuk do të ketë pajtim".

Talebanët ishin në pushtet në Afganistan nga 1996 deri në ndërhyrjen ushtarake amerikane pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Al-Kaida ka përdorur pjesë të Afganistanit dhe Pakistanit si baza të saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG