Lidhje

Venezuelë, Guaido thirrje për mbështetje ndërkombëtare


Venezuela Political Crisis
Venezuela Political Crisis

Udhëheqësi i opozitës në Venezuelë Juan Guaido i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mbështesë përpjekjet e tij për të larguar nga pushteti presidentin Nicolas Maduro si dhe për rivendosjen e demokracisë në vend.

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të kontrolluar nga opozita Juan Guaido u vetëshpall president i përkohshëm javën e kaluar, pasi Asambleja e shpalli të paligjshme rizgjedhjen e Maduro-s në muajin maj në kushtet kur shumica e kandidateve ose bojkotuan garën ose u penguan të konkurrojnë. Shtetet e Bashkuara e kanë njohur Juan Guaido-n si udhëheqës të përkohshëm të vendit.

Në një opinion dhënë gazetës “The New York Times” publikuar të enjten, Juan Guaido shprehej se mbi 50 vende ose e kanë njohur atë si president të përkohshëm ose Asamblenë Kombëtare si autoritetin legjitim të Venezuelës. Ai tha se i ka bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për ndihmë humanitare dhe se ka filluar procesin e emërimit të ambasadorëve si dhe "atë të gjetjes e kthimit të pasurive kombëtare që ndodhen jashtë vendit".

Juan Guaido thotë se ka zhvilluar "takime të fshehta" me pjesëtarët e ushtrisë për t'i bindur ata që të mos e mbështesin më Nicolas Maduron. Ai e konsideron ushtrinë si "vendimtare për të bërë të mundur një ndryshim në qeveri".

Ndërkohë gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve ruse “RIA” të mërkurën, Presidenti Maduro thotë se është gati zhvillojë bisedime me forcat opozitare të vendit si dhe të mbajë zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Por ai hodhi poshtë kërkesat e Juan Guaido-s për zhvillimin e zgjedhjeve të reja presidenciale përpara vitit 2025.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG