Lidhje

Blerja e votave, Prokuroria hetim për publikimin e përgjimeve


Në Shqipëri, Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi sot se ka hapur hetime lidhur me publikimin dje të disa përgjimeve të një çështjeje penale të cilën ajo e ka ende nën hetim.

Reagimi i Prokurorisë erdhi pas publikimit nga Zëri i Amerikës të një materiali të përgatitur nga gazetarja Klodiana Lala dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN. Dhjetra përgjime dhe dokumente të siguruara përmes dy hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda hidhnin dritë mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në disa qytete të vendit.

Prokuroria njoftoi se ajo po heton për veprën penale “ Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete”, duke theksuar se publikimi i akteve të përgjimeve të një çështjeje penale po bëhet në kundërshtim me ligjin. Sipas Prokurorisë po bëhet verifikimi i të gjithë personave që kanë patur njohje dhe akses në aktet e bëra publike në hetim dhe gjykim.

Transkriptet e përgjimeve tregonin përfshirjen në zgjedhje të vëllezërve Avdyli, drejtuesit e një grupi të dyshuar për veprimtari kriminale, si dhe lidhjet e tyre kryesisht me kryebashkiakun Vangjush Dako, i cili drejtoi edhe shtabin elektoral të Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit, në zgjedhjet e vitit 2017.

Përmbajtja e materialit të publikuar, u bë sot shkas per debate të forta në parlament mes opozitës dhe qeverisë, duke krijuar dhe situata tensioni në sallë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG