Lidhje

Venezuelë, Guaido akuzon Maduron se i kërcënoi familjen


Presidenti i përkohshëm i Venezuelës, Juan Guaido, njoftoi se familja e tij është kërcënuar të enjten nga regjimi, ndërkohë që Presidenti Maduro, zgjedhja e të cilit është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara, refuzon të largohet. Guaido u vetëshpall President i përkohshëm i Venezuelës, ndërsa zhvilloheshin protesta masive ndaj Maduros, i cili filloi mandatin e tij të dytë më 10 janar pas zgjedhjeve të konsideruara gjerësisht si të manipuluara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të rajonit kanë njohur Guaidon si President, ndërsa Kina, Rusia dhe Turqia mbështesin Maduron.

Guaido u tha gazetarëve se njësi speciale të policisë kishin shkuar në shtëpinë e tij ndërsa ai nuk ndodhej aty dhe kishin kërkuar të shoqen, e cila ndodhej në shtëpi me vajzën 20-muajshe. Ai falenderoi fqinjët që mbrojtën bashkëshorten.

“Fillimisht erdhën dy agjentë me motoçikleta. Pastaj erdhi një furgon i bardhë pa targa. U afruan tek banesa dhe kërkuan gruan, Fabianën. Ishin anëtarë të forcave të sigurisë”, njoftoi zoti Guaido.

Vizita e agjentëve ndodhi ndërkohë që Guaido ishte tek Universiteti i Venezuelës, duke paraqitur vizionin e saj për të ardhmen e vendit. Venezuela është zhytur në varfëri. Ekonomia e saj e mbështetur tek karburantet është në rënie dhe qeveria është e përfshirë në aktivitet kriminal.

Nënpresidenti amerikan Mike Pence lavdëroi të enjten DEA-n (Agjensinë e SHBA-së për Luftën Kundër Drogave) për zbulimin e lidhjeve mes regjimit dhe trafikut të drogës.

“Mësuam se po hetohet narko-diktatura e korruptuar e Nicolas Maduros dhe se po ngrihen akuza ndaj disa anëtarëve të familjes dhe rrethit të tij të brendshëm. DEA ka luajtur rolin e saj dhe tashmë shohim se Venezuela ka një President të ri të përkohshëm”, tha Nënpresidenti Pence.

Udhëheqësi socialist ka ende mbështetës të tij në Venezuelë.

“Komandati Nicolas Maduro është presidenti ynë legjitim. Venezuelianët e votuan më 20 maj 2018”, thotë një mbështetëse e Maduros në Karakas.

“Me veprimet e saj, Amerika synon të marrë përmes Guaidos pasuritë e Venezuelës dhe kjo nuk është e drejtë. Ai nuk është zgjedhur”, thotë një mbështetës i Maduros në Karakas.

Ushtria e Venezuelës ende mbështet Maduron. Por, analistët thonë se mbështetja nuk do të zgjasë shumë, pasi udhëheqësit ushtarakë e dinë se po mbarojnë fondet për pagat e tyre.

“Në veçanti udhëheqja e gardës kombëtare di kush është përfshirë në kontrabandë dhe trafiqet e ndryshme të drogave, ndoshta të kokainës së kartelit të njohur Los Soles. Ata që janë të përfshirë përballen me rrezikun e ekstradimit në SHBA, ose minimalisht rrezikojnë të humbin fitimet e tyre”, thotë Evan Ellis, i Kolegjit të Ushtrisë Amerikane.

Maduro thotë se është i hapur për bisedime me opozitën, por ka përjashtuar organizimin e zgjedhjeve të reja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG