Në Shqipëri, kryetari Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi tha sot se brenda qershorit të ardhshëm vendi do të ketë kryeprokurorin e ri dhe nisjen e funksionimit të prokurorisë speciale antikorrupsion. “Gara për Prokurorin e Përgjithshëm do të hapet më 19 mars. Ligji na jep 3 muaj kohë për të përgatitur rregulloren dhe metodën e vlerësimit të kandidatëve. Në këtë mënyrë ne po marrim kohën që na jep ligji”, u shpreh zoti Ibrahimi.
Përsa i përket Prokurorisë speciale antikorrupsion, SPAK, në datën 7 shkurt skadon afati që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përcaktuar për paraqitjen e kandidaturave. Deri ditën e sotme nga 15 vende vakante, janë paraqitur vetëm 8 kandidatë. Zoti Ibrahimi tha se shpresonte që brenda afatit të caktuar do të ketë dhe kandidatura të tjera që do të paraqiten. “Mbetem optimist që deri në datën 7 do të kemi numrin e nevojshëm të kandidaturave”, u shpreh ai duke shtuar se numrin e ulët të aplikimeve “nuk e shoh si një stepje. Kemi ende disa ditë deri më datë 7 shkurt”.
Zoti Ibrahimi theksoi se angazhimi në SPAK “është një mundësi e artë për karrierën e një prokurori. Për një prokuror që ta shpjerë karrierën e tij në majat më të larta të sistemit. Eshtë vërtetë një mundësi e madhe. Të jesh për herë të parë prokuror i SPAK-ut një institucion i pritur prej 30 vitesh prej shqiptarëve, është unikale”, nënvizoi kryetari i KLP-së.
Facebook Forum