Gjykata Shkodër miratoi të shtunën kërkesën e Prokurorisë për sekuestro preventive të pasurive të Bardhok Pllanajt, pas dyshimeve se ato ishin siguruar nga veprimtaria e tij kriminale dhe pastrimi i parave. Ndaj shtetasit Pllanaj prokuroria ka regjistruar dy procedime penale. Ai është arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar por, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, gjykata ka vendosur për “arrest në shtëpi" për të.
Prokuroria e Shkodrës bëri të ditur se 17 pasuri të paluajtëshme, kryesisht sipërfaqe toke dhe apartamente banimi, të shtetasit Bardhok Pllanaj u vunë në sekuestero preventive. Gjithashtu janë sekuestruar edhe tre automjete. Po sipas organit të akuzës, masa e sigurisë preventive për këto pasuri është marrë për të shmangur çdo transaksion të mundshëm, tjetërsim apo veprim tjetër administrativ mbi këto pasuri, çka do të shkaktonte kryerjen e veprave te tjera penale.
44 vjeçari Bardhok Pllanaj, i cilësuar si “Kumbari” i Shkodrës, u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar pas dyshimeve se kishte ndërtuar pa leje, në dalje të qytetit të Shkodrës, një pallat 10-katësh me vlerë 2 milion euro dhe me burime nga veprimtaria kriminale.
Pllanaj është një përsonazh i njohur për policinë pasi në vitin 2014 ai u hetua bashkë me disa persona të tjerë si pjesë e grupit të të arrestuarve gjatë operacionit “Laguna e Vilunit”, ku shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza sekuestruan më shumë se 800 kilogram lëndë narkotike që po transportohej drejt Italisë. Nga hetimet e kryera, policia hodhi dyshime të forta se Pllanaj ishte pjesë e këtij trafiku dhe se ai ishte ndihmuar për t’i shpëtuar arrestimit nga ish deputeti Mark Frrokaj.
Në një raport të oficerëve të gjurmimit, në sektorin e narkotrafikut, shkruhet se i dyshuari në survejim prej tyre ka lëvizur nga lokali “Antika” në Tiranë drejt Laprakës me automjetin Audi në pronësi të deputetit Frrokaj.
Facebook Forum