Lidhje

Guvernatori i Virxhinias nën presion për dorëheqje lidhur me fotografinë raciste


Guvernatori demokrat i shtetit të Vixhinias Ralph Northam ndodhet nën presionin për të dhënë dorëheqjen pasi një faqe konservatore publikoi në internet një foto nga libri i kujtimeve i shkollës mjekësore ku ai ka studiuar. Në të shfaqej një person i paidentifikuar që kishte ngjyer fytyrën me të zezë si dhe një tjeter me një kapuç të grupit Ku Klux Klan.

Zoti Northam mohon të jetë një prej personave në foto, por ka pranuar se në të njëjtin vit, 1984, kishte ngjyer fytyrën me të zezë për një garë kërcimi me kënget e Michael Jackson-it. Deri tani ai nuk ka pranuar të japë dorëheqjen pavarësisht thirrjeve nga partia e tij, aktivistët e të drejtave civile dhe publiku i zemëruar. Materiali u përgatit për Zërin e Amerikës nga Zlatica Hoke.

Protestues të irrituar u mblodhën të shtunën jashtë shtëpisë së guvernatorit në kryeqytetin e Virxhinias Riçmond, një ditë pas publikimit të fotografisë që ndodhet në librin e kujtimeve të kolegjit ku ai ka studiuar. Shumë e konsiderojnë reagimin e guvernatorit të papërshtatshëm.

"Veprimet tuaja kanë pasoja. Duke ditur se ky ishte sekreti që mbanit fshehur, më duhet t’ju pyes sa e fuqishme, sa e fortë është supremacia juaj e bardhë që të mendosh se kjo është një sjellje e pranueshme për guvernatorin tonë të Virxhianias", thotë Francesca, një protestuese nga Richmondi.

Duke iu drejtuar gazetarëve pas publikimit të fotografisë raciste, zoti Northam tha se nuk e mbante mend të kishte pozuar për këtë foto të vitit 1984, por i kujtohej të kishte ngjyer me të zezë fytyrën për një konkurs me këngët e Michael Jackson-it në San Antonio, në të njëjtin vit.

"E mbaj mend konkursin e vallëzimit në San Antonio sikur të ishte dje. Sigurisht mbaj përgjegjësi për atë që ndodhi në San Antonio. Kam mësuar prej saj, por kjo nuk është fotografia ime. Nuk e kam veshur atë kostum si anëtar i Ku Klux Klan-it dhe as nuk jam ai me fytyrë të zezë që shfaqet në foto"- thotë Ralph Northam, guvernator i Virxhinias

Kreu i Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë Derrick Johnson tha se zoti Northam duhet të japë dorëheqjen edhe nëse nuk është në atë foto.

"Edhe nëse ai ka marrë pjesë në mënyrë aktive apo pasivisht, ai nuk ka pranuar qoftë edhe një herë të vetme se kjo gjë ka ndodhur ose që ta ketë kundërshtuar atë lloj sjelljeje, apo të thotë se isha edukuar ndryshe dhe isha pjesë e një programi jugor kulturor që e përqafonte këtë sjellje raciste e të turpshme, po tani tani jam një tjetër njeri".

Zoti Northam tha se në qoftë se do ta dinte sesa fyese ishte të ngjyeje fytyrën në të zezë për një garë vallëzimi, nuk do ta kishte bërë. Kritikët thonë se konferenca e tij për shtyp që zgjati rreth 45 minuta, nuk shkoi mirë.

"Në mënyrë të qartë ai nuk dëshmoi se e ka kuptuar se pse kjo është një çështje problematike. Ai e ka kthyer këtë në një referendum për veten duke mos marrë në konsideratë çështjen e racizmit", thotë Maggie Haberman, korrespondente e Shtëpisë së Bardhë për gazetën “New York Times”.

Disa demokratë e republikanë, përfshirë udhëheqësen e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, po bëjnë thirrje që zoti Northam të japë dorëheqjen.

Në të shkuarën ngjyerja e fytyrës me të zezë nga njerëzit e bardhë nuk ishte diçka e pazakontë, sikurse e dëshmojnë disa filma të vjetër të Hollivudit. Me kalimin e viteve, ajo është është kthyer në diçka të papranueshme në çdo rast, përfshirë edhe festën e Halloween-it apo edhe çdo festë tjetër. E ashtuquajtura "fytyrë e zezë" përforcon një stereotip racist ofendues edhe pse një person mund ta ketë bërë atë pa qëllim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG