Lidhje

Huatë kineze rrezikojnë sovranitetin e Kenias


Sipas një prej gazetave kryesore të Kenias, zyrtarët e lartë mund të kenë vënë në rrezik burimet strategjike të këtij vendi duke nënshkruar një kontratë me Kinën. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Salem Solomon, në vitin 2014 zyrtarët kenianë i dhanë Kinës menaxhimin e sistemit hekurudhor të vendit.

Ndërsa gjarpëron mes parqeve të pasura kombëtare të Kenias, rrjeti hekurudhor “Standard Gauge Railway”, projekti më i madh infrastrukturor i vendit që nga pavarësia e tij, duket si një simbol i përparimit që ka bërë vendi.

Disa ekspertë thonë se hekurudha do të mbështesë zhvillimin afatgjatë të Kenias.

“Ky rrjet hekurudhor ndryshon çdo gjë. Tani mund të hipësh në tren dhe të shkosh në cepin tjetër të vendit brenda pesë orësh”, thotë Irene Sun, autore e librit “Fabrika e ardhshme e botës”.

Hekurudha lidh Nairobin me Mombasën, dy qytetet më të mëdha të Kenias. Më parë duheshin 10 deri në 15 orë udhëtimi me makinë në rrugë të këqija.

“Kjo ndryshon gjithçka për lëvizjen e njerëzve, por ndoshta edhe më shumë për transportin e mallrave”, thotë zonja Sun.

Por, gazeta më e madhe e pavarur e Kenias, “The Daily Nation”, mendon se ka një kosto të fshehur. Gazeta thotë se borxhi prej miliarda dollarësh ndaj Kinës për ndërtimin e hekurudhës, mund të vërë në rrezik sovranitetin dhe pasuritë kombëtare të Kenias.

Hollësitë e kontratës së nënshkruar në vitin 2014 mes Kenias dhe Bankës së Eksport-Importeve të Kinës filluan të dalin në dritë vetëm në fillim të këtij viti.

Marrëveshjet infrastrukturore dhe të huave kineze mbaheshin zakonisht sekrete.

Gazeta njoftoi se ka siguruar një kopje të marrëveshjes dhe ngre shqetësimin për asetet që Kenia mund të humbasë nëse nuk do të paguajë dot borxhin.

Kontrata gjithashtu përcakton se Kenia duhet të përdorë “mallrat, teknologjinë dhe shërbimet” kineze për ndërtimin dhe për funksionimin në vazhdimësi të hekurudhës. Kontrata gjithashtu i ndalon qeverisë së Kenias të bëjë publike detajet e marrëveshjes, pa marrë paraprakisht miratimin e Pekinit.

Ekspertët thonë se kjo është ndër provat më reale se Pekini mund të jetë duke ushtruar të mbiquajturën diplomaci të kurthit të huasë, duke i shtrënguar vendet përftuese të dorëzojnë tokë, minerale dhe asete strategjike, kur të mos jenë më në gjendje të paguajnë këstet.

Gazeta nuk bëri të ditur se si e siguroi kopjen e kontratës dhe si verifikoi autenticitetin e saj.

Sidoqoftë, teksti i saj përputhet me kontratat e shqyrtuara nga Zëri i Amerikës për projektet në Serbi, Kirgistan, dhe Guyana, në kuadrin e nismës globale infrastrukturore të Kinës me vlerë prej triliarda dollarësh. Këto kontrata sugjerojnë se kushtet e huasë për Kenian mund të reflektojnë praktikën huadhënëse të Pekinit në mbarë Afrikën dhe më gjerë.

Që kur filloi operacionet në vitin 2017, projekti hekurudhor në Kenia është shoqëruar me akuza për korrupsion, racizëm dhe keqmenaxhim. Akuza penale janë ngritur ndaj zyrtarëve kenianë dhe kinezë.

Presidenti Uhuru Kenyatta nuk i pranon akuzat se huaja kineze ka dëmtuar vendin.

“Miqtë e mi, jemi duke i paguar këstet para kohe... Nuk jemi të lidhur pas një vendi të caktuar, por bashkëpunojmë me vendet që vlerësojnë dhe kuptojnë nevojat e Kenias për zhvillim. Kina është një prej tyre dhe mbështet fuqishëm planin e Kenias për zhvillim. Dakort?”, u deklaroi gazetarëve Presidenti Kenyatta.

Presidenti kenian shtoi se madje do të merren hua të tjera në funksion të zhvillimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG