Lidhje

Përgjimet, Prokuroria: Gazetarja Lala nuk po hetohet


Në Shqipëri, prokuroria për Krimet e Rënda njoftoi sot se hetimet e saj lidhur me nxjerrjen dhe publikimin e disa përgjimeve, pjesë e akteve të një procedimi penal, nuk përfshijnë gazetaren Klodiana Lala. Javën e shkuar, zonja Lala ishte autorja e një materiali të përgatitur nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN dhe i publikuar nga Zëri i Amerikës. Materiali mbështetej në disa dhjetra përgjime dhe dokumente të siguruara përmes dy hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të cilat hidhnin dritë mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në disa qytete të vendit.

Menjëherë pas publikimit prokuroria njoftoi se ajo po heton për veprën penale “ Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete”, duke theksuar se publikimi i akteve të përgjimeve të një çështjeje penale po bëhet në kundërshtim me ligjin. Sipas Prokurorisë po bëhet verifikimi i të gjithë personave që kanë patur njohje dhe akses në aktet e bëra publike në hetim dhe gjykim.

Në njoftimin e sotëm Prokuroria saktësoi se hetimi i saj ka nisur që në muajin nëntor të 2018 che se ato “janë duke u kryer në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e personave të tjerë funksionarë të organeve të drejtësisë, të cilët kanë hartuar aktet e përgjimeve, kanë administruar këto akte dhe kanë patur akses në to, por dhe kushdo tjetër që në bazë të ligjit është njohur me aktet e sipërcituara dhe ka patur detyrimin ligjorë për ruajtjen e sekretit hetimor si dhe marrjen e masave të nevojshme për ndalimin e publikimit të akteve të proçedimit penal të mësipërm”.

Transkriptet e përgjimeve tregonin përfshirjen në zgjedhje të vëllezërve Avdyli, drejtuesit e një grupi të dyshuar për veprimtari kriminale, si dhe lidhjet e tyre kryesisht me kryebashkiakun Vangjush Dako, i cili drejtoi edhe shtabin elektoral të Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit, në zgjedhjet e vitit 2017.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG