Lidhje

Ç’mund të sillte një ndërhyrje e SHBA në Venezuelë?


Venezuela Military Barricades
Venezuela Military Barricades

Mundësia që Presidenti Donald Trump të përdorë forcën ushtarake për të larguar nga pushteti në Venezuelë Nicolas Maduron, po ngre shqetësime për koston e mundshme në jetë njerëzish dhe për pasojat e tjera të angazhimit të forcave amerikane në një tjetër konflikt. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden, ndërsa mbështetësit e ndërhyrjes thonë se vetëm forca do ta detyrojë Maduron të dorëzojë pushtetin, kundërshtarët thonë se ndërhyrja ushtarake amerikane vetëm do ta forconte udhëheqësin socialist.

Presidenti Trump është shprehur se ekziston alternativa e përdorimit të forcës ushtarake amerikane në Venezuelë, por ai theksoi gjatë fjalimit për Gjendjen e Vendit nevojën për të ulur angazhimet e kushtueshme ushtarake nëpër botë.

“Si kandidat për president, premtova një qasje të re. Shtetet e mëdha nuk bëjnë luftëra pa fund”, deklaroi Presidenti Trump.

Shtetet e Bashkuara, pjesa më e madhe e Amerikës Latine, si dhe Evropa kanë njohur tashmë kreun e Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, si President të përkohshëm të vendit.

Ato thonë se Presidenti Nicolas Maduro nuk ka legjitimitet pasi ai manipuloi zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Politikat socialiste të Maduros e kanë sjellë vendin e pasur me naftë pothuajse në prag të shkatërrimit ekonomik, me inflacion tepër të lartë, mungesa në ushqime dhe ilaçe, ndërsa miliona njerëz po i largohen trazirave dhe varfërisë në vendin e tyre.

Administrata Trump ka shtuar presionin ekonomik, duke ngrirë të ardhurat nga nafta e Venezuelës, për të mundësuar largimin e Maduros.

Mbështetësit e opsionit ushtarak thonë se forca mund të jetë e nevojshme dhe se do të mirëpritej nga shumica e venezuelianëve për të larguar qeverisjen e Maduros, e cila akuzohet se është përfshirë në trafik drogash dhe se po shton represionin politik.

“Duket se ky opinion po zë më shumë vend mes venezuelianëve – e vetmja mënyrë për ta larguar këtë qeverisje kriminale nga pushteti është nëpërmjet forcës”, thotë Ana Quintana, e Fondacionit “Heritage”.

Kundërshtarët e ndërhyrjes thonë se kriza humanitare në Venezuelë nuk përbën kërcënim sigurie për Shtetet e Bashkuara.

Një shënim në bllokun e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, për “5 mijë trupa në Kolumbi” ngjalli spekullime se forcat amerikane mund të dërgohen në kufirin mes Kolumbisë dhe Venezuelës.

“Mund të ekzistojë mundësia në rast të nevojës për të ndërhyrë në Venezuelë dhe për të zhvilluar operacione humanitare, ose për të operacione të tjera, si p.sh. marrja nën mbrojtje të anëtarëve të qeverisë Guaido ose të deputetëve të rrezikuar”, thotë Evan Ellis, i Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

Por, edhe një operacion me objektiv shumë të ngushtë do të sillte një konflikt me ushtrinë e mirëpajisur venezueliane dhe mund të rriste mbështetjen për Maduron, brenda vendit dhe në rajon.

“Nëse objektivi i Shtëpisë së Bardhë është, siç duket, ndryshimi i regjimit në Venezuelë, atëherë duhet të kenë parasysh se veprimet e tyre do të krijojnë një kundër-reagim ndaj SHBA-së në Venezuelë dhe në rajon”, thotë Alexander Main, analist për Amerikën Latine, në Qendrën për Studime Ekonomike dhe Politike.

Kanadaja dhe vendet kryesore aleate në Amerikën Latine kanë paralajmëruar gjithashtu kundër përdorimit të forcës në Venezuelë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG