Lidhje

SHBA, sauditët dhe vrasja e Khashoggit


Kush e vrau Xhamal Khashogin? Sot skadon afati që Senati amerikan i ka dhënë administratës Trump për t’iu përgjigjur pyetjes, por Departamenti i Shtetit nuk ka thënë nëse do të arrijë ta respektojë afatin. Disa anëtarë të Kongresit dyshojnë se Princi trashëgimtar në Arabinë Saudite, Mohamed bin Salman është përgjegjës për vrasjen e gazetarit të Washington Postit. Analistët thonë se kjo çështje mund të hedhë dritë mbi qëndrimet e administratës dhe Kongresit në tema delikate të politikës së jashtme dhe do të tregojë nëse presidenti do të pranojë konkluzionet e agjencive të tij të zbulimit lidhur me këtë vrasje. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine njofton:

Vrasja e gazetarit saudit, Xhamal Khashogi ndodhi katër muaj më parë në konsullatën saudite në Stamboll. Por ende mbeten pa përgjigje pyetje lidhur me autoritetet që dhanë urdhër për këtë akt.

Presidenti Trump nuk ka pranuar të shprehet nëse beson që Princi saudit, Mohamed bin Salman e dinte se Khashogi do të ekzekutohej, duke u shprehur “ndoshta e dinte, ndoshta jo”. Presidenti dhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo kanë folur disa herë për “marrëdhënien speciale” mes Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë Saudite. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj 17 zyrtarëve sauditë pas vrasjes së Khashogit, por jo ndaj Princit bin Salman, i cili mohon të ketë pasur lidhje me vrasjen.

Kryetari i mëparshëm i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, republikani Bob Corker si dhe bashkëkryetari demokrat Bob Menendez, aktivizuan Ligjin Magnitsky në tetor. Ky ligj i jep presidentit 120 ditë afat për të vendosur nëse do të ndëshkojë me sanksione shtetas të huaj, pasi arrin në përfundimin se këta individë kanë mbështetur ose kanë qenë të përfshirë në zhdukjen e Khashogit. Afati përfundon sot. Zoti Corker tha se beson që princi saudit i kurorës “dha urdhër dhe monitoroi” vrasjen brutale.

Dje, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Robert Palladino nuk pranoi të thoshte nëse administrata Trump do të respektojë afatin e së premtes siç e kërkon ligji.

“Do të vazhdojmë konsultimet me Kongresin dhe do të punojmë për të mbajtur përgjegjës ata që kanë rol në vrasjen e Xhamal Khashogit”.

Grupe për të drejtat e njeriut dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve po i bëjnë thirrje Shtëpisë së Bardhë të kërkojë përgjegjësi dhe të bëjë publik informacionin që ka lidhur me vrasjen e Khashogit për t’i dërguar një mesazh të fortë Arabisë Saudite.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG