Lidhje

Çmimet Grammy: Dua Lipa, Artistja e Re më e Mirë


Dua Lipa fiton Grammy

Çmimet Grammy këtë vit ishin një himn për suksesin e grave në industrinë muzikore. Artistë e figura të tjera publike në komentet e tyre rrëfyen forcën që kishin gjetur tek muzika gjatë jetës.

Ceremonia e zhvilluar në Los Anxhelos kishte në radhët e të ftuarve edhe ish-Zonjën e Parë, Michelle Obama, e cila u ngjit në skenë për të ndarë me spektatorët rolin që kishte luajtur muzika në jetën e saj.

“Nga disqet e kompanisë Motown që i luaja pa pushim, tek këngët “Who Run the World” që me dhanë energji gjatë dekadës së kaluar, muzika më ka ndihmuar të rrëfej historinë time. S’ka rëndësi nëse na pëlqen muzika kantri, rep apo rok, rëndësi ka që ajo na ndihmon të shprehim atë që ndjejmë brenda vetes, dinjitetin, dhimbjen, shpresat dhe gëzimet tona,” tha zonja Obama.

Kantautorja Alicia Keys duket se po i përmbahet premtimit se nuk do të vërë tualet, gjë që shihej qartë që në momentin që u ngjit në skenë si prezantuese e ceremonisë.

Artisjta me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, fituese e Grammyt si më e mira ndër Artistët e Rinj të vitit, nderoi në komentet e saj të gjitha artistet femra që konkurruan. Për ata që aspirojnë të bëhen artistë, ajo kishte fjalë inkurajimi të frymëzuara nga përvoja e saj jetësore:

Dua Lipa, Fituese e Grammyt si Artistja më e Mirë e Re

“Kushdo që është ndjerë se është ndryshe, se vjen nga një kulturë apo rrethana të tjera…, nuk ka rëndësi nga jeni, çfarë të kaluare keni, çfarë bindjesh keni, mos lejoni asgjë t’ju pengojë në rrugën drejt përmbushjes së ëndrrave”.

Çmimin Albumi i Vitit e fitoi këngëtarja e muzikës kantri, Casey Musgraves për albumin “Golden Hour”. Kënga e saj “Butterflies” u zgjodh në kategorinë e Solos më të Mirë Kantri të vitit.

Filmi “A Star is Born” e ka afirmuar Lady Gagan si artiste jo vetëm të muzikës, por edhe të kinematografisë. “Shallow”, një nga këngët e kolonës zanore të filmit, interpretuar nga Lady Gaga dhe Bradley Cooper, fitoi Grammyn si Dueti më i Mirë i Muzikës Pop.

Cardi B, e njohur për gjuhën e mprehtë si në jetë, ashtu edhe në vargje, dëshmoi anën e butë të karakterit, duke u mallëngjyer mbrëmë kur u ngjit në skenë për të marrë Grammyn për Albumin më të Mirë Rep të Vitit, një çmim që për herë të parë e fiton një artiste femër.

Ceremonia kishte edhe interpretime nga emra legjendarë si Diana Ross dhe Dolly Parton, të cilat u nderuan mbrëmë për karrierën dhe kontributin në muzikë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG