Lidhje

Shkodër, arrestohet një polic për ngacmim seksual ndaj të miturës


Berhan Bajrakurti
Berhan Bajrakurti

Policia e Shkodrës arrestoi mesditen e të hënës një punonjës policie në Malësinë e Madhe pas dyshimeve për ngacmim seksual ndaj një të miture.

Në një njoftim të shkurtër, policia bëri të ditur se Berhan Bajrakurti, specialist në zonën e Gruemirës, u arrestua pas publikimit në një media sociale të një videoje, në të cilën ai shfaqet i zhveshur ndërsa komunikon me të miturën në fjalë.

Policia nuk ka dhënë të tjera detaje në lidhje me ngjarjen por, sipas medias sociale “Newsbomb.al”, e cila publikoi ngjarjen, videoja i ishte dërguar një nxënëseje 15 vjeçare nga Gruemira, të cilën polici Bajrakurtaj, sipas njoftimit të portalit, e përndiqte prej disa kohësh me qëllim abuzimin seksual.

Po sipas këtij portali, nëna e vajzës, pasi ka mësuar ngjarjen nga e bija, është përpjekur pa sukses të denoncojë rastin në policinë e Malësisë së Madhe dhe në atë të Shkodrës. Ndërkohë, e pyetur nga Zëri i Amerikës, zëdhënësja e policisë tha se “nuk ka patur denoncim për rastin”.

Duke reaguar për ngjarjen, Partia Demokratike në opozitë, tha sot se “polici Bajrakurti ishte larguar nga rradhët e policisë nga dekriminalizimi, por ai ishte rikthyer në detyrë nga personat më të rëndësishëm politik të Partisë Socialiste në Malësi të Madhe”.

Në një reagim të tij në twitter, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e cilëson si “pervers” policin e arrestuar dhe shton se “një pervers mund të shërbejë si flamur për politikanë perversë, por nuk mund të njollosë askend përveç vetes së tij dhe atyre që i gëzohen ekzistencës së tij. Mbështetje për policinë e shtetit shqiptar”.

Ngjarja e denoncuar sot në Malësi të Madhe, për përndjekje dhe ngacmim seksual ndaj një të miture 15 vjeçare, ndodh vetëm pak ditë pas denoncimit për dhune seksuale ndaj një 13 vjeçareje në Kavajë nga 8 nxënës shkolle, ngjarje kjo që tronditi gjithë opinionin vendas dhe që nxiti protesta në Tiranë dhe në Shkodër.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG