Lidhje

Rikthehet në Sarajevë fryma e bashkimit të Lojërave Olimpike


Rikthehet në Sarajevë fryma e bashkimit të Lojërave Olimpike
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:52 0:00

Kur Sarajeva organizoi Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 1984, ajo u shndërrua në një moment krenarie për të gjithë ish-Jugosllavinë. 35 vite më vonë, kryeqyteti i pasluftës së Bosnjës së tanishme shpreson ta risjellë këtë moment me organizimin e Festivalit Dimëror Olimpik të Rinisë Evropiane.

Vullnetarët në aeroportin e Sarajevës mirëpritën të premten pishtarin e Lojërave Olimpike të Rinisë Evropiane. Lojërat u çelën të dielën dhe zgjasin një javë. Fronti i luftës së Bosnjës kalonte dikur përmes qytetit. Në shenjë bashkëpunimi mes dy ish-armiqve, kryetarët e të dyja bashkive deklaruan se kjo është një epokë e re paqeje dhe pajtimi.

“Festivali Olimpik i Rinisë Evropiane është një mundësi që ne të gjithë të bashkohemi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më pozitive”, tha Abdulah Skaka, Kryebashkiak i Sarajevës.

“Dëshiroj t’i bashkohemi të gjithë këtij projekti dhe të ndjekim ceremoninë e mbylljes në stadiumin Kosevo në Sarajevën Lindore”, tha Nenad Vukovic, Kryebashkiak i Sarajevës Lindore.

Arritja e këtij bashkëpunimi nuk ishte i lehtë. Sarajeva i përket Federatës Boshnjako-kroate, ndërsa Sarajeva Lindore i përket Republikës Serbe. Ato janë dy rajone autonome të Bosnjës, të ndara në vija etnike gjatë luftës 3-vjeçare, e cila dy dekada më parë shkaktoi 100 mijë viktima. Disa thonë se tashmë janë gati të shohin përpara.

“Më e rëndësishmja është se do të bëjmë miq nga të dyja anët. Nuk duhet t’i ndajmë njerëzit në këtë mënyrë, por kështu është realiteti. Sidoqoftë është mirë kur bëhemi tok”, thotë Azer Basic, vullnetar për Lojërat.

Që nga Lojërat Olimpike të vitit 1984, pista e rrëshkitjes në malin Trebeviç është mbuluar me mbishkrime artistike, ndërsa pikat e nisjes së skive në malin Igman është rrënuar.

Menaxherja e rrëshkitjes në akull, Jasenka Perovic, ka rigjetur kujtimet e Lojërave Olimpike të ’84-ës.

“Ndër kujtimet e mia më të bukura ishte pjesëmarrja në ceremoninë mbyllëse, së bashku me vajzat e vogla që ishin pjesë e ekipit. Është e mrekullueshme që 35 vite më vonë po organizojmë këtë aktivitet që ngjason shumë me Lojërat Olimpike dhe na risjell disi atë frymë”, thotë zonja Perovic.

Këtë frymë e dëshirojnë shumë prej banorëve, të cilët ndalen për të kërcyer dhe për të bërë fotografi me “Groodvy-in”, simbolin e lojërave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG