Lidhje

“Opportunity” i jep fund misionit në Mars 


Pas 14 vitesh udhëtim në sipërfaqen e Marsit shkencëtarët e agjencisë amerikane të hapësirës (NASA) njoftuan fundin e misionit të mjetit robotik “Opportunity” në planetin e kuq. Por kjo nuk e përfundon punën e NASA-s në Mars. Një tjetër mjet robotik “Curiosity”, po eksploron një pjesë tjetër të planetit që nga viti 2012.

Mjeti robotik nuk mundi t’i rezistojë një stuhie pluhuri në Mars dhe humbi kontaktin me Tokën rreth tetë muaj më parë. Pas më shumë se 800 përpjekjesh për të rivendosur kontaktin, drejtuesit e misionit u dorëzuan të mërkurën, disa orë pasi dërguan një komandë të fundit për ta rikthyer në gjendje pune.

"Po qëndroj këtu me një ndjenjë vlerësimi e mirënjohjeje të thellë për të njoftuar se misioni me mjetin robotik të eksplorimit në Mars ka përfunduar. Jam këtu i rrethuar nga ekipi dhe mund të them se ky është një moment emocional," thotë Thomas Zurbuchen, ndihmës administrator i NASA-s.

“Opportunity” u nis drejt hapësirës në vitin 2003 dhe arriti në Mars një vit më vonë, duke u vendosur pranë mjetit "binjak" të tij, të emërtuar “Spirit”.

Të dy mjetet robotike, me madhësi të përafërt me atë të një karroce golfi duhet të kryenin një mision parashikuar të zgjaste rreth 90 ditë.

Por “Opportunity” dhe “Spirit” e tejkaluan shumë misionin e tyre fillestar dhe shpenzuan vite duke eksploruar terrenin shkëmbor të planetit, ndërsa përdornin panele diellore për të furnizuar me energji motorët e tyre.

Të dy mjetet robotike gjetën dëshmi se në Marsin e lashtë ka ujë që rrjedh në sipërfaqen e tij dhe në të mund të zhvillohet jeta mikrobike.

“Spirit” ngeci në vitin 2009 e për pasojë një vit më vonë u ndërpre komunikimi i tij me NASA-n. Besohet se misioni i tij u mbyll një herë e përgjithmonë gjatë dimrit të ashpër marsian.

Fundi i misionit “Opportunity” nuk e përfundon punën e NASA-s në Mars. Një tjetër mjet robotik “Curiosity”, po eksploron një pjesë tjetër të planetit që nga viti 2012.

Vitin e ardhshëm, dy mjete të tjerë robotikë, një nga Kina dhe një tjetër si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët të Rusisë dhe Bashkimit Evropian, pritet të nisin udhëtimin e tyre në planetin e kuq.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG