Lidhje

Dhuna në protestë, 7 të arrestuar


Policia shqiptare shoqëroi në mbrëmje të paktën 20 persona të dyshuar për aktet e dhunës gjatë protestës së sotme të opozitës përpara kryeministrisë. Mes të shoqëruarve ishte dhe Florenc Hoxha, ish drejtori i Policisë Bashkiake, në kohën kur ky institucion drejtohej nga kryetari aktual i opozitës Lulzim Basha. Mësohet se ndaj 7 personave është dhën dhe urdhër arresti nga Prokuroria.

Shoqërimi i protestuesve, ka bërë një grup deputetësh të Partisë Demokratike të shkojnë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për të kërkuar shpjegime. Mes tyre dhe punonjësve të policisë ka patur dhe moment të forta tensioni deri dhe përplasje fizike.

Tirana përfshihet nga protesta
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

Për më shumë se 4 orë protesta e opozitës u shoqërua me sulme të përsëritura ndaj selisë së qeverisë. Nuk kishin kaluar shumë minuta nga moment që përkrahësit e opozitës dhe drejtuesit e saj ishin mbledhur në sheshin para kryeministrisë, pak para mesditës, kur në fillim disa shishe me benzinë u hodhën drejt shkallëve, ndërsa më pas një grup protestuesish arritën të çanin kordonin e policisë dhe të drejtoheshin drejt hyrjes së godinës duke tentuar ta hapnin atë me forcë. Nga brenda, njësitë e Gardës përdorën fillimisht pompat e ujit për të sprapsur protestuesit dhe më pas dhe gazin lotsjellës.

Për drejtuesin demokrat Lulzim Basha, e gjitha sipas tij ishte një skenar i paramenduar “për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë. Ndërkohë që protesta filloi plotësisht në mënyrë paqësore, me presionin më të vogël të turmës, që natyrisht që janë të irrituar sepse janë banorë të Unazës së Re, kanë shkuar për t’u prishur shtëpitë për t’u vjedhur 18 milionë euro, papritur shohim që hapet kordoni policor. Kjo do të thotë që ka një plan për të nxitur dhunë. Ka një plan për të nxitur dhunën që t’i drejtojë gishtin e akuzës opozitës dhe kjo është e papranueshme”, është shprehur zoti Basha.

Në interval të ndryshme kohore, skena e sulmeve drejt kryeministrisë u përsërit disa herë me protestuesit që depërtonin kordonin e policisë duke tentuar të shembin portën kryesore, dhe merrnin si kundërpërgjigje bomba me gazlotsjellës. Në një nga këto interval u sulmua dhe shkatërrua dhe një vepër arti, në formën e një kërpudhe e vendosur në pjesën anësore të kryeministrisë.

Ndërsa tensioni ishte i pranishëm gjatë gjithë kohës, filluan të mbërrinin dhe reagimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët cilët në kor dënuan aktet e dhunës. Duke mbështetur të drejtën qytetare të protestës ambasada amerikane në Tiranë theksoi se “dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme” si dhe i bëri “thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive”.

Në të njejtën linjë dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e shteteve anëtare në Tiranë bënë “thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme. Dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës nuk janë të pranueshme”, theksuan përfaqësitë diplomatike europiane duke bërë gjithashtu thirrje “të gjitha palëve që të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe përçarje të mëtejshme”. Ndërsa Prania e OSBE-së u shpreh se “përshkallëzimi i dhunës së rrugës sot përbën një shkelje të parimeve të protestës demokratike paqësore. Nxitësit dhe autorët e dhunës mbajnë përgjegjësi për incidentet e sotme”.

Për një kohë të gjatë askush nuk dinte të shpjegonte se si do të vijonte protesta. Drejtuesit e opozitës deklaruan disa her se janë vetë qytetarët ata që merrnin vendime. Por pak para orës 16.00 pas një konsultimi me njëri tjetrin në shesh, zoti Basha njoftoi mbylljen e protestës, por jo e përpjekjeve të opozitës për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama. “Kjo kryengritje do të vazhdojë deri në përmbysjen totale të këtij sistemi të kalbur. Puna që nisëm sot do të çohet deri në fund”, deklaroi zoti Basha, duke paralajmëruar organizimin e një tjetre proteste ditën e enjte.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG