Lidhje

SHBA vazhdon përkrahjen për opozitën venezueliane


Presidenti Donald Trump pritet të mbajë të hënën një fjalim, ku do të paralajmërojë për "rreziqet e socializmit" dhe do të mbështesë udhëheqësit e opozitës venezueliane Juan Guaido, i cili është i njohur nga Shtetet e Bashkuara si presidenti i përkohshëm i Venezuelës.

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti Trump do t’i bëjë këto komente në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës, ndërsa administrata e tij vazhdon të flasë kundër presidentit socialist venezuelian Nicolas Maduro. Universiteti është në një lagje në Miami që ka përqendrimin më të madh të venezuelianëve në SHBA.

Ndërsa presidenti Trump nuk përjashton një ndërhyrje ushtarake amerikanene Venezuelë, ligjvënësi Eliot Engel, kryetari demokrat i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, tha gjatë një seance dëgjimore të Kongresit javën e kaluar, se ligjvënësit nuk do ta mbështesin një veprim të tillë.

Ndërkohë, tre aeroplanë ushtarakë amerikanë të ngarkuar me ndihma humanitare për Venezuelën mbërritën në Cucuta të Kolumbisë të shtunën, duke shtuar ngarkesat me ushqime dhe ilaçe që presin të kalojnë kufirin.

Ndihma e dërguar nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera ende nuk ka arritur asnjë venezuelian, dhe po mbahet në qytetet e Kolumbisë, Brazilit dhe Curacaos.

Zoti Maduro thotë se ndihma është e panevojshme dhe e paligjshme.

Venezuela vuan nga mungesa e barnave, ushqimeve dhe sendeve të tjera të nevojëshme të përditshme dhe gjithashtu ka shkallën më të lartë të inflacionit në botë. Tre milionë njerëz - rreth 10 për qind e popullsisë së vendit - kanë ikur jashtë.

Maduro, i cili ka mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës, i ka thënë ushtrisë, e cila mbetet besnike ndaj tij, për të mos lejuar ndonjë kalim të ndihmave në Venezuelë.

Guaido thotë se ka një plan për t’i sjellë ndihmat në vend më 23 shkurt dhe pritet të japë hollësitë e planit të tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG