Lidhje

Anti-semitizmi, sfidë për qeveritë evropiane 


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu thotë se rishfaqja e anti-semitizmit është një problem qendror për komunitetet hebraike. Zoti Netanyahu i bëri komentet dje, një ditë para takimit të udhëheqësve të Evropës Qendrore në Jeruzalem. Takimi i katër vendeve që bëjnë pjesë në të ashtu-quajturin Grupi i Vishegradit: Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, ishte në plan të zhvillohej sot. Por Polonia anuloi pjesëmarrjen pasi u shpreh e ofenduar nga komentet e ministrit të jashtëm izraelit në detyrë. Udhëheqësit evropianë janë tani nën presion për të marrë masa më të forta për të luftuar anti-semitizmin në rritje në vendet e tyre.

Kritika të forta u drejtuan ndaj protestuesve me jelekë të verdhë në Paris, pasi një grup prej tyre sulmoi filozofin Alain Finkielkraut, një hebre francez që po kalonte rrugës rastësisht. Presidenti francez, Emmanuel Macron e dënoi menjëherë incidentin. Por filozofi tha se askush prej protestueve nuk kishte hedhur ofeza anti-semitiste dhe se ai që po e shante ishte ekstremist mysliman.

“Ata na mendojnë racistë, pasi e duam Izraelin. Në sytë e disa njerëzve ne jemi kriminelë, madje në përmasa gjenocidi. Jemi disi të pazotë të luftojmë kundër kësaj urrejtjeje sepse niset nga “ndërgjegja e mirë”. Sot anti-semitizmi është bërë sinonim i anti-racizmit,” thotë zoti Finkielkraut.

Një historian francez që ka parë xhirimet e sulmit mendon ndryshe:

“Ka rëndësi që të mos nxitohemi e të mendojmë se nuk kemi të bëjmë me anti-semitizëm, thjesht sepse nuk pati parulla që shanin hebrenjtë. Autorët e këtyre akteve e dinë se të hedhësh parulla të tilla kundër hebrenjve është kundër ligjit, por të thuash “Zionist i ndryrë” nuk është e paligjshme. Prandaj duhet ta bëjmë shumë të qartë se kemi të bëjmë me një shembull të qartë abuzimi anti-semitik,” thotë historiani Vincent Duclert.

Vendet evropiane vazhdojnë të ndjejnë peshën e periudhave të anti-semitizmit dhe Holokaustit nga e kaluara e tyre. Disa prej tyre janë kundër një bashkëfajësie kolektive. Vitin e kaluar, Polonia e bëri të paligjshme fajësimin e të gjithë vendit për krimet e kryera gjatë Holokaustit. Ligji i ri ndëshkon këdo që i quan kampet e përqëndrimit gjatë pushtimit nazist, “kampe polake të vdekjes”. Shumë në Izrael e kanë dënuar këtë ligj.

Në një intervistë televizive të dielën, Ministri i Jashtëm izraelit në detyrë, Israel Katz citoi ish-Kryeministrin Jitzhak Rabin që pat thënë: “polakët e marrin anti-semitizmin me qumshtin e nënës”.

Menjëherë pas intervistës, Polonia anuloi pjesëmarrjen në takimin e Jeruzalemit.

“Komentet nga Ministri i Jashtëm në detyrë, zoti Katz, janë plotësisht të papranueshme jo vetëm në gjuhën diplomatike, por të papranueshme në debatin publik,” u shpreh kryeministri i Polonisë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se anti-semitizmi mbetet një problem qendror për hebrenjtë në mbarë botën dhe po merr forma të reja:

“Përpjekjet keqëdashëse për të demonizuar shtetin hebraik, për t’i mohuar kombit hebraik dhe vetëm kombit hebraik të drejtën për vetëqeverisje në tokën e të parëve të tyre, nuk përshkruhen dot me terma të tjera. Ky anti-zionizëm është një formë e re e anti-semitizmit. Nuk ka rëndësi ku shfaqet. Qoftë në lindje, megjithëse nuk ka shumë hebrenj në lindje, në Azi. Por ka hebrenj në Lindjen e Mesme dhe në Perëndim”.

Anti-semitizmi dhe gjuha e urrejtjes dënohen me ligj në shumë vende, megjithatë shpesh kryhen sulme kundër komuniteteve hebraike, sidomos në Francë ku gjendet edhe popullata më e madhe myslimane në Evropë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG