Lidhje

SHBA deputetëve të opozitës: Refuzoni dorëzimin e mandateve


Ambasada amerikane në Tiranë reagoi sot me tone të forta ndaj vendimit të paprecedent të opozitës për të hequr dorë nga mandatet parlamentare të deputetëve të saj. “Një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme”, thekson deklarata.

Në qëndrimin e saj ambasada gjithashtu shprehet se “Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin t’u shërbeni”, përfundon deklarata.

Pak më vonë, ndërsa njoftoi se vendimi për heqjen dorë nga mandatet, ishte konfirmuar dhe nga kryesia e partisë së tij, kryetari demokrat Lulzim Basha tha se “nuk komentoj kurrë asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja në Tiranë”, por duke vijuar fjalën e tij ai theksoi se “djegia e mandateve nuk është qëllim në vetëvete. Djegia e mandateve është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor: që të shembim një qeveri të krimit, për krimin dhe nga krimi dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit”.

Gjatë ditës, zoti Basha, ishte shprehur se opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas nga vendimet e marrë prej saj. “Nuk është thjesht djegie mandatesh. Nuk do të ketë më parlament, fasadë. Nëse ata do të vijojnë të mblidhen – paralajmëroi zoti Basha - shqiptarët do t’i përgjigjen dhe opozita do të jetë në krah shqiptarëve për t’u përgjigjur”. Opozita kërkon një qeveri tranzicioni që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe zgjedhje parlamentare të parakohshme. “Hapi i parë është dorëheqja e Ramës dhe për këtë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë negociatë”, tha sot zoti Basha.

E majta e cila ka 78 vende në parlament, nuk është shfaqur e shqetësuar për vendimin e opozitës. Sot në një takim në Pukë, kryeministri Edi Rama u shpreh se “Të gjitha janë justifikime. Të gjitha janë alibi. Të gjitha janë mënyra për t’i ikur ballafaqimit me qytetarët, për t’i ikur ballafaqimit me zgjedhësit. Ne jetojmë në një sistem ku vendimet mbi kush qeveris dhe kush është në opozitë i marrin qytetarët në zgjedhje”.

Vendimi për të hequr dorë nga mandatet u mor dje nga të gjitha partitë opozitare. Ishte kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ai që bëri i pari propozimin për grupin e tij parlamentar i cili e pranoi në unanimitet. Më pas këtij vendimi ju bashkuan dhe drejtuesit e partive të vogla të djathta, disa prej të cilëve janë në parlament. Ndërsa në mbrëmje të njejtin qëndrim mori dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka një numër të konsiderueshëm deputetësh. Por sot njëri prej tyre, ish ministri i Mjedisit Lefter Koka, deklaroi publikisht se nuk do të dorëzojë mandatin “që mijëra durrsakë më kanë besuar. Jam zgjedhur prej vullnetit të bashkëqytetarëve të mi, për të ushtruar pushtetin legjislativ dhe të jem përfaqësuesi i tyre. Mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar”, u shpreh në një deklaratë zoti Koka.

Vendimi për heqjen dorë nga mandatet pasoi protestën e të shtunën gjatë së cilës u rregjistruan episode të dhunshme, me grupe protestuesish që disa herë me radhë sulmuan hyrjen qëndrore të godinës, por u sprapsën nga forcat e sigurisë që përdorën pompat e ujit dhe gazin lotsjellës. 19 protestuesë u arrestuan. Sot gjykata e Tiranës, konfirmoi arrestin me burg për 6 prej tyre ndërsa për të tjerët u vendos arresti në shtëpi ose detyrimi për paraqitje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG