Lidhje

Akuzë ndaj aktorit Jussie Smollett për sajimin e sulmit kundër tij


Policia e Çikagos thotë se një aktor që kishte thënë se ishte sulmuar dhe rrahur nga dy persona me maska që kishin hedhur ofendime raciste dhe homofobike, e kishte sajuar incidentin pasi ishte i pakënaqur nga rroga e tij dhe donte të promovonte karrierën e tij. Jussie Smollett u arrestua të enjten, nën akuzat për sjellje kundër rendit publik për shkak se kishte gënjyer policinë, Ai u lirua me kusht pasi bëri një pagesë prej 100 mijë dollarësh. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Custer njofton:

Aktpri 36 vjeçar afrikano-amerikan homoseksual i serisë televizive "Empire", shkaktoi një stuhi në median sociale muajin e kaluar kur i tha policisë se dy persona që mesa dukej ishin përkrahës të Presidentit Donald Trump e kishin goditur, i kishin vënë një lak në qafë dhe e kishin lagur me klor.

Smollett gjeti solidaritet të gjerë nga figura të njohura dhe madje dhe politkanë, por policia menjëherë gjeti mospërputhje në historinë e aktorit.

Pas një hetimi trejavor, shefi i policisë i Çikagos tha se autoritetet kishin arritur në përfundimin se Smollett u kishte paguar dy vëllezërve 3,500 dollarë për të inskenuar sulmin.

“Njoftimi i sotëm konfirmon se aktori i ‘Empire’, Jussie Smollett shfrytëzoi dhimbjen dhe zemërimin e racizmit, për të çuar përpara karrierën e tij. Akoma pyes veten ‘Pse?’. Pse duhet dikush, veçanërisht një afrikano-amerikan të përdorën simbolizmin e skllavërisë për të bërë akuza të rreme? Si mundet dikush të gjejë një shans për të manipuluar atë simbolizëm për të ngritur profilin e tij, duke përfituar nga urrejtja dhe vuajtja që ai shkakton? Si mundet dikush që e do gjithë Çikagoja t’ia shpërblejë me këtë goditje, me këto pretendime të rreme”, tha Eddie Johnson.

Ai e quajti ‘lojën për publicitet’ të aktorit, një plagë që Çikago nuk e meriton.

Dënimi për akuzën kundër aktorit Smollett, mund të jetë deri në tre vjet burg, megjithëse ish-Prokurori Andrew Weisberg i tha agjencisë Associated Press se gjykatësit rrallë i fusin të pandehurit në burg për raportime të rreme, duke zgjedhur më shpesh lirimin me kusht.

XS
SM
MD
LG