Lidhje

Green Book, Fitues i Oskarit si Filmi më i Mirë


Ekipi realizues i filmit Green Book duke marrë Çmimin Oskar si Filmi më i Mirë i Vitit

Filmi Green Book ishte fituesi i çmimit më të lakmuar të ceremonisë së Oskarve mbrëmë në Hollivud, duke siguruar çmimin në kategorinë e filmit më të mirë, ndërsa aktori Mahershala Ali fitoi në kategorinë e aktorit më të mirë në rol dytësor. Filmi fitoi edhe për skenarin më të mirë origjinal. Ishte një nderim që përshtatej me frymën e larmisë etnike e tematike aktualisht në Hollivud, siç dëshmohej edhe nga filmat që konkurruan sivjet për Oskar.

Ndahen Çmimet Oskar për 2019
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:17 0:00

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou, kjo dramë e bazuar në ngjarje reale shtjellon historinë e një pianisti të njohur afrikano-amerikan që zë miqësi me shoferin e tij të bardhë gjatë udhëtimit të tyre përmes jugut të Shteteve të Bashkuara në fillimet e viteve 1960 kur ende mbretëronte ndarja e rreptë racore. Filmi është pritur me reagime të përziera nga kritika, disa duke e kritikuar se nuk ka respektuar ngjarjet reale në shtjellimin e subjektit, të tjerët duke kritikuar personazhin e shoferit si një “shpëtimtar i bardhë” gjë që e fut filmin në kategorinë e realizimeve që e tregojnë përvojën afrikano-amerikane përmes syve të personazheve të bardhë.

Aktori Mahershala Ali, i cili interpreton pianistin Don Shirley, fitoi Oskarin si aktori më i mirë në rol dytësor. Filmi fitoi edhe në kategorinë e skenarit më të mirë origjinal.

Aktori Viggo Mortensen dhe regjisori Peter Farrelly folën me Zërin e Amerikës për filmin:

“Farrelly bëri një punë aq të mirë si regjisor, sa që gati-gati të duket e lehtë, duket si një film që nuk ka dashur shumë mund. Por nga eksperienca ime që kam lexuar mijëra skenare e kam shkruar vetë tre skenare, e di sa e vështirë është të gjesh balancën, në rastin e filmit Green Book, mes tensionit dramatik, humorit të pasforcuar, dialogut të mprehtë, të paharrueshëm dhe plot nënkuptime dhe një historie që krijon një ritëm të ngadaltë por të pandalshëm, e gjitha kjo për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm,” thotë aktori Viggo Mortensen.

Suksesi i filmit Green Book simbolizon përpjekjet e Hollivudit për të pasqyruar larmi racore, etnike e tematike në konkurrentët për Oskar.

Roma, filmi i regjisorit Alfonso Cuaron fitoi tre Çmime Oskar, në kategorinë e kinematografisë më të mirë, regjisorit më të mirë dhe si filmi më i mirë në gjuhë të huaj. Historia tregohet nga këndvështrimi i një vajze indigjene meksikane që punon si shërbëtore në një familje të klasës së mesme në Qytetin e Meksikos. Në komentet që bëri kur mori çmimin si regjisori më i mirë i vitit, Cuaron falenderoi dy aktoret që portretizojnë shërbëtoret e familjes: Marina de Tavira dhe Yalitza Aparicio, duke i cilësuar si zemra e filmit.

Aktorja e filmit Yalitzia Aparicio është e para aktore që i përket popullatës indigjene të Amerikës, e cila konkurroi në kategorinë e aktores më të mirë për Oskar.

Roma mund të mos kishte siguruar kaq popullaritet nëse nuk do të ishte produksion i Netflix-it, platforma dixhitale që e shpërndau filmin në televizorët e miliona shikuesve në mbarë botën. Platformat dixhitale po prezantojnë një gamë më të larmishme filmash për teleshikuesit, thotë eksperti i medias Richard Craig:

"Shpresojmë që me këtë të arrijmë të hapim portat e mundësive për ata zëra që tradicionalisht nuk kanë pasur mundësi të konkurrojnë, pasi realizimet e tyre nuk janë përfshirë deri tani në nivelet më të larta të konkurrimit”.

Olivia Colman fitoi Oskarin si Aktorja më e Mirë për portretizimin e Mbretëreshës Anne në filmin The Favorite nga regjisori Yorgos Lanthimos. Filmi është një dramë politike e rrëfyer nga këndvështrimi i tre grave.

Black Panther e regjisorit Ryan Coogler fitoi tre Oskar, në kategorinë e Arritjes më të Mirë Muzikore dhe dy për kostumografinë. Hannah Beachler dhe Ruth E. Carter janë të parat afrikano-amerikane që ndrohen në kategoritë e dizenjos dhe realizimit të kostumografisë. Në komentet për Zërin e Amerikës, stilistja Carter shpjegon se për kostumet e filmit Black Panther kishte marrë frymëzim nga folklori afrikan.

“Kostumet janë të shoqëruara me armatime, me mburoja, por janë edhe shumë të bukura. Kanë ngjyra të theksuara, mburojat duken si të mbuluara me gurë të çmuar. Këto kostume nderojnë traditën, prandaj aktorët ndjehen kaq të frymëzuar prej tyre, pasi mbajnë në trup historinë”.

Regina King fitoi Oskar si Aktorja më e Mirë në Rol Dytësor për interpretimin në filmin If Beale Street Could Talk, ku ajo luan rolin e Sharon Rivers.

Filmi BlackkKlansman i regjisorit Spike Lee u hedh një vështrim të guximshëm marrëdhënieve racore në Amerikë. Ky realizim fitoi në kategorinë e Skenarit më të Mirë të Adaptuar.

Rami Malek mori Oskar si Aktori më i Mirë i vitit për personifikimin e Freddy Mercuryt, këngëtarit legjendar të Queens ndeshur me dramën e brendshme si një artist homoseksual në filmin Bohemian Rhapsody.

Në kategorinë e filmit më të mirë multiplikativ fitoi Spider-Man into the Spider Verse, një realizim i ri mbi aventurat e njeriut-merimangë që për herë të parë ka në rolin e personazhit kryesor një djalë afrikano-amerikan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG