Lidhje

Dhuna në Venezuelë rrit shqetësimin e kritikëve të politikës amerikane 


Përplasjet e dhunshme dhe vdekjeprurëse në Venezuelë mes mbështetësve të opozitës dhe forcave qeveritare të sigurisë po shtojnë shqetësimin e kritikëve se politika e tanishme amerikane është shumë konfrontuese dhe se do ta vështirësojë më tej arritjen e një zgjidhjeje paqësore të ngërçit politik në atë vend. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden, përplasjet e kësaj fundjave për ndihmat humanitare kanë rikthyer retorikën për një ndërhyrje ushtarake.

Nënpresidenti amerikan Mike Pence u takua me udhëheqësin opozitar të Venezuelës, Juan Guaido, në Bogota të Kolumbisë, gjatë një takimi të vendeve të Amerikës Latine që mbështesin largimin e Presidentit venezuelian Nicolas Maduro.

“Për ju President Guaido, kam një mesazh shumë të thjeshtë nga Presidenti Trump: jemi me ty 100%”, deklaroi Nënpresidenti Pence.

Takimi vjen pasi forcat venezueliane të sigurisë qëlluan me armë ndaj mbështetësve të opozitës që po përpiqeshin të sillnin në vend ndihmat humanitare. Të paktën katër persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën. Por, zoti Guaido u zotua se njerëzit nuk do të frikësohen.

“Sot Venezuela vazhdon të përballet me një emergjencë serioze humanitare që mund të ishte lehtësuar disi nga kjo mbështetje e rajonit”, tha zoti Guaido.

Shtetet e Bashkuara dhe mbi 60 vende të tjera kanë njohur Guaidon, kryetarin e Asamblesë Kombëtare, si president të përkohshëm të Venezuelës, pasi Maduro fitoi presidencën vitin e kaluar në një proces zgjedhor që perceptohet gjerësisht të ketë qenë i manipuluar.

Qindra tonë ndihma amerikane të dërguara në kufirin e Venezuelës janë pjesë e një strategjie më të gjerë për ta detyruar Maduron të dorëhiqet. Uashintoni ka vendosur sanksione ekonomike ndaj industrisë fitimprurëse të karburanteve dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve ushtarakë të heqin dorë nga mbështetja për Nicolas Maduron.

Por ai duket se ka ruajtur mbështetjen e ushtrisë dhe i ka denoncuar ngarkesat me ushqime dhe ilaçe, si një përpjekje për të dëmtuar qeverisjen e tij.

Ka njoftime se opozita dëshiron që komuniteti ndërkombëtar të shqyrtojë ushtrimin e forcës për t’i dhënë fund ngërçit politik. Administrata Trump nuk ka përjashtuar ndërhyrjen ushtarake, por shumë aleatë të Shteteve të Bashkuara janë kundër.

Disa kritikë të administratës Trump thonë se politika e tij për Venezuelën po provokon dhunën dhe po parandalon zhvillimin e dialogut paqësor.

“Nëse nuk do të kishin ndërhyrë në këtë mënyrë, do të kishte një lloj kompromisi që do të lindte nga negociatat. Por, nuk e dëshirojnë këtë gjë”, thotë Mark Weisbrot, i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Politike.

Megjithatë, mbështetësit e Presidentit Trump thonë se forcat venezueliane të sigurisëjanë përgjegjëse për represionin e dhunshëm në vend dhe për vrasjen e civilëve të pafajshëm.

“Njëra palë i ka të gjitha armët – është regjimi i Nicolas Maduros”, thotë Roger Noriega, ish-Ndihmës Sekretar Shteti për Amerikën Latine.

Shtëpia e Bardhë vendosi të hënën sanksione të reja ndaj katër guvernatorëve venezuelianë që akuzohen se bllokuan ngarkesat me ndihma humanitare. Nënpresidenti Pence u bëri thirrje vendeve aleate të Amerikës Latine që të ngrijnë asetet e industrisë venezueliane të karburanteve, si dhe të shtojnë presionin diplomatik për të sjellë ndryshime demokratike në Venezuelë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG