Lidhje

Gjonaj: Udhëheqësit e Kosovës të bashkohen për çështjet me peshë për vendin


Anëtari i Këshillit Bashkiak të New Yorkut, Mark Gjonaj, tha sot se pavarësia e Kosovës u realizua me një çmim të lartë për popullin shqiptar, ndërsa bëri thirrje që udhëheqësit politik të bashkohen rreth çështjeve të rëndësishme për vendin.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference për gazetarë në përfundim të vizitës në Kosovë, gjatë së cilës është takuar me zyrtarët e institucioneve si dhe udhëheqësit e partive politike.

Zoti Gjonaj u bëri thirrje udhëheqësve politik në Kosovë që të kenë kujdes me të arriturat e Kosovës.

“Mos bëni asnjë gabim, çdo metër katror e tokës së Kosovës është përmbytur me gjak, lot dhe djersë. Ne gjithashtu urojmë të arriturat e Kosovës së fundmi siç është formimi i ushtrisë”,tha ai.

Zoti Gjonaj që njihet për kontributin e tij për çështjen e shqiptarëve tha se shqiptaro-amerikanët ndjekin me vëmendje zhvillimet në Kosovë, Shqipëri dhe në çdo vend të Ballkanit ku jetojnë shqiptarët.

“Ne u kërkojmë udhëheqësve tanë, jo partive politike, që të lënë anash dallimet, të rimendojnë dhe të pauzojnë dhe të rivlerësojnë se ku gjendemi si njerëz, si vend dhe si shtet. Të vendosin nevojat e njerëzve së pari, të vendosin së pari nevojat e vendit dhe kauzën e madhe kombëtare përpara interesave të tyre. Ne kemi parë suksese kur udhëheqësit tanë punojnë së bashku, na duhet që edhe njëherë të bëhen bashkë dhe të fokusohen në çështje që janë të rëndësishme. Ju keni partner të madh në komunitetin e shqiptaro-amerikanëve, ju keni partner të madh tek shqiptarët kudo në botë, ne kemi më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve se sa brenda tyre dhe kjo është vlerë që duhet të përdoret. Por ne kemi nevojë për fokusim dhe drejtim dhe kemi nevojë të dëgjojmë një zë të përbashkët”,tha zoti Gjonaj.

Ai bëri thirrje që Kosova të përmirësojë renditjen ndërkombëtare për luftën kundër korrupsionit dhe të shënojë përparim në zhvillimin ekonomik.

Zoti Gjonaj tha se shqiptaro-amerikanët do të vazhdojnë angazhimin për Kosovën, kauzën kombëtare dhe të gjithë shqiptarët në Ballkan.

Ai vlerësoi historike krijimin e komunës së Tuzit në Mali të Zi, vend ky ku delegacioni i drejtuar prej ti do të përmbyllë vizitën e tij pas Shqipërisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG