Lidhje

Senati pritet të votojë vendimin e Presidentit për shpalljen e emergjencës kombëtare


Vendimi për shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare nga ana e Presidentit Donald Trump me qëllim ndërtimin e një muri në kufirin jugor të vendit mund të përballet me kundërshtime të tjera nga ana e Kongresit ndërsa pritet votimi në Senat rreth një rezolute që e hedh poshtë këtë vendim. Siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Michael Bowman, rezoluta e miratuar tashmë në Dhomën e Përfaqësuesve mund të përballet me një veto presidenciale nëse ajo miratohet edhe në Senat.

Presidenti Trump vazhdon të jetë i vendosur për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit të SHBA-së me Meksikën.

"Po pushtohemi prej drogave, njerëzve pa dokumente, kriminelëve. Duhet ta ndalojmë këtë gjë!", tha ai.

Por mbi këtë çështje duket se ka një refuzim prej të dyja palëve në Senat.

"Aktualisht nuk ka emergjencë që lidhet me sigurinë kombëtare në kufirin tonë jugor", thotë senatori demokrat Tom Udall.

"Duhet të mbrojmë fuqitë institucionale të Kongresit sikurse do të kërkonin nga ne themeluesit e kombit”, thotë senatorja republikane Susan Collins.

Kongresi ka miratuar vetëm një pjesë të vogël të fondeve që zoti Trump kërkoi për ngritjen e murit. Duke shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare, Presidenti synoi të anashkalojë Kongresin dhe t’u ndërrojë destinacionin miliarda dollarëve, kryesisht atyre të parashikuara për ushtrinë, duke i përdorur për ndërtimin e murit kufitar. Disa ligjvënës republikanë e mbështesin pa asnjë mëdyshje këtë masë.

"Mendojmë se presidenti gëzon autoritetin ta bëjë këtë për shkak të asaj që shohim se po ndodh përgjatë kufirit… sasisë së drogës, numrit të vdekjeve në Amerikë, trafikimit të qenieve njerëzore, që është problemi më i madh atje,” thotë ligjvënësi republikan Kevin McCarthy.

Por për demokratët dhe disa republikanë shpallja e gjendjes së emergjencës kombëtare nga Presidenti Trump sfidon kushtetutën dhe do të vendoste një precedent të rrezikshëm.

"Do të ishte një hap i madh larg demokracisë, në drejtim të autokracisë. Nuk duam që një president amerikan të marrë vendime nëpërmjet dekreteve, duke anashkaluar Kongresin", thotë senatori demokrat Chuck Schumer.

"Shpallja e gjendjes së emergjecës nga presidenti është e gabuar, pikërisht sepse është një përpjekje për të shmangur procesin e kontrollit dhe balancës së pushtetit, duke uzurpuar autoritetin e Kongresit”, thotë senatorja republikane Susan Collins.

Në një koment të bërë së fundmi presidenti Trump shpotiti shqetësime të kësaj natyre.

"Njerëz të mirë, ata janë miqtë e mi. Jemi shumë të shqetësuar rreth vendosjes së një precedenti…ndërsa unë jam shumë i shqetësuar rreth vrasësve, trafikantëve të drogës dhe karteleve të drogës që po vërshojnë në vendin tonë".

Senati ka afat deri në mesin e këtij muaji të votojë rreth masës që kundërshton vendimin e presidentit. Zoti Trump është i bindur të vendosë veton nëse kjo rezolutë miratohet në Kongres.

Fjala e fundit u takon gjykatave federale për të përcaktuar fatin e vendimit për shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare. Ndër faktorët që gjykatat mund të marrin nën shqyrtim është fillimisht vendimi i Kongresit për refuzimin e fondeve për murin kufitar, e më pas përpjekjet për të bllokuar veprimin e presidentit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG