Lidhje

Venezuela urdhëron largimin e ambasadorit gjerman


Qeveria e Venezuelës urdhëroi largimin nga vendi të ambasadorit të Gjermanisë, për shkak të mbështetjes ndaj udhëheqësit të opozitës Juan Guaido, i cili është përfshirë në një betejë politike me Presidentin Nicolas Maduro.

Përmes një deklarate, qeveria venezueliane i dha 48 orë afat të largohet ambasadorit gjerman Martin Kriener, me argumentin se ndërhyn në punët e brendshme të Venezuelës. Qeveria e Venezuelës e dha urdhërin pasi zoti Kriener u takua me zotin Guaido të hënën në aeroport, kur ai u kthye pas një turneu jashtë vendit.

Juan Guaido, i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe 50 vende të tjera si udhëheqësi i përkohshëm i Venezuelës, u kthye të hënën nga turneu në katër vende të Amerikës Latine, duke shkelur një urdhër gjykate që i ndalonte atij udhëtimin jashtë vendit. Pas kthimit të tij, zoti Guaido mori pjesë në një miting, ku bëri thirrje për largimin nga pushteti të Presidentit Nicolas Maduro.

Venezuela ndodhet në mesin e një krize humanitare, e cila pritet të keqësohet nga pasojet që do të kenë sanksionet amerikane ndaj naftës venezueliane. Përkrahësit e zotit Guaido thonë se rizgjedhja vitin e kaluar e Nicolas Maduros, i cili ka mbështetjen e Rusisë, ishte e paligjshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG