Lidhje

Aksident në Gjilan – një i vdekur e disa të plagosur


Policia e Kosovës tha se një person humbi jetën ndërsa 20 të tjerë u plagosën në një aksident në qendër të qytetit të Gjilanit, rreth 40 kilometra në lindje të Prishtinës.

Sipas hetimeve të para një kamion transportues ishte shkaktar i aksidentit që përfshiu edhe 10 makina të tjera.

Policia dyshon se mos funksionimi i frenave të kamionit transportues çoi në përplasjen që la pas vetes edhe shumë dëme materiale.

Tre nga të plagosurit, sipas autoriteteve janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në spitalet e Prishtinës.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri nëpërmjet një postimi në rrjetin Facebook, tha se “sipas informatave të para, kamionit me targa 01 nuk i kanë funksionuar frenat dhe pos dëmeve në njerëz, ka shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, ku janë përfshirë dhjetëra vetura dhe dëmtim i pronës publike”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi në facebook tha se “dukuria e aksidenteve në komunikacion është shqetësuese. Kërkojmë nga institucionet e sigurisë që t’i rrisin masat e kontrollit, që të mos përsëriten aksidentet tragjike me jetë njerëzish dhe dëme tjera material”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një postim në rrjetet sociale u bëri thirrje organeve përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta hetuar rastin dhe për të parandaluar që rastet e tilla të ndodhin në të ardhmen. “Qeveria e vendit, institucionet përkatëse, janë në gjendje gatishmërie për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme, për të prekurit nga kjo tragjedi”.

Kryetari i parlamentit Kadri Veseli kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të angazhohen maksimalisht për zbardhjen e rastit dhe të punojnë më shumë në parandalimin e aksidenteve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG