Lidhje

Stërvitje e përbashkët ushtarake e katër vendeve të Evropës Qendrore


Kryeministrat e katër vendeve të NATO-s, Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë u takuan të dielën në një ceremoni në Varshavë. Ata vëzhguan stërvitjet ushtarake të njësive që do të shkojnë në Afganistan. Takimi shënoi edhe përvjetorin e anëtarësimit në NATO të këtyre vendeve të Evropës Qendrore, të njohura si Grupi i Vishegradit 4.

Në Varshavë, ushtarët polakë simuluan një sulm ndaj pozicioneve të armikut. Kryeministrat e Hungarisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke u mblodhën për të festuar përvejtorin e anëtarësimit të tyre në NATO.

“Gjatë 20 viteve të fundit, vendet tona kanë provuar se janë anëtarë të çmuar të NATO-s, ndërsa aleanca ka provuar vazhdimisht se është garantuese e sigurisë së përbashkët”, tha Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki.

Udhëheqësit pranuan edhe rolin në transformim të NATO-s në shekullin e 21-të.

“NATO po rritet pasi siguria në Evropë sot është e luhatshme. Jemi krenarë që po marrim pjesë në luftën kundër terrorizmit, jo vetëm me fjalë, por edhe me ushtarë”, tha Kryeministri i Hungarisë, Victor Orban.

“Fakti që vendet tona nuk e duan luftën dhe nuk janë të interesuar të shkaktojnë luftë, nuk do të thotë se të tjerët nuk do përdorin paqëndrueshmërinë në Evropën Lindore për të promovuar interesat e tyre”, tha Kryeministri i Sllovakisë, Peter Pellegrini.

Stërvitja ushtarake u zhvillua nga brigada që do tu bashkohet së shpejti njësive të misionit të NATO-s në Afganistan.

“Nuk e perceptojmë anëtarësinë në NATO si një mënyrë që dikush të na mbrojë, por e shohim si përgjegjësinë tonë aktive ndaj vendeve të tjera anëtare. E marrim shumë seriozisht përgjegjësinë e mbrojtjes kolektive”, tha Andrej Babis, Kryeministër i Republikës Çeke.

Këto vende u anëtarësuan në Bashkimin Evropian në vitin 2004 dhe grupi mori emrin e qytetit hungarez Vishegrad, ku u mblodhën për herë të parë në vitin 1991.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG