Lidhje

Ekspertët analizojnë shkaqet e rrëzimit të Boing 737 Max 8 


Rrëzimi i avionit Boeing 737 Max 8, i kompanisë “Ethiopia Airlines” të dielën në mëngjes, rreth pesë muaj nga rrëzimi i një avioni i njëjtit model në Indonezi, ka ngritur pikëpyetje rreth sigurisë së tij. Pas incidentit, disa kompani anembanë botës kanë ndaluar fluturimin e avionëve Boeing 737 Max 8, por linjat kompanitë ajrore në Shtetet e Bashkuara nuk e kanë bërë këtë. Ekspertët thonë se modeli i ri, 737 Max 8, ka një sistem operativ të ndryshëm nga modeli i mëparshëm 737. Sipas tyre është shumë e rëndësishme të përcaktohen shkaqet e rrëzimin përpara se të dilet në përfundime.

Ndërsa bota vajton 157 personat e vrarë në aksidentin e së dielës, ekspertët po diskutojnë rreth shkaqeve që çuan pilotin e avionit Boing 737 Max 8, të nisë sinjale që paralajmëronin rrezik, menjëherë pas ngritjes. Një zyrtar britanik për sigurinë në fluturime thotë se Boeing 737 Max 8 është mjaft i ndryshëm nga modeli klasik i tij, Boing 737.

"Ata që kanë pilotuar një avion të tillë më kanë thënë se është shumë i mirë në fluturim, linjat ajrore e duan. Garanton efiçencë me 14 deri 15 për qind më shumë në përdorimin e karburantit i cili është i një sasie tejet të lartë. Por ka pyetje që lidhen me sistemet brenda avionit. Megjithatë duhet të kihet parasysh se avionët Boeing, në ndërtimin e këtij modeli, kanë ndjekur saktësisht procedurat e kërkuara nga Administrata Federale e Aviacionit. Pra ata e kanë certifikuar, prodhuar dhe miratuar. Ata kanë demonstruar se ishte në përputhje me standardet e ndryshme në fuqi", thotë eksperti britanik Dai Whittingham.

Aksidenti ishte i ngjashëm me atë që ndodhi tetorin e kaluar me avionin e linjës ajrore “Lion Air” që ra në detin Java, duke vrarë 189 njerëz. Në të dy aksidentet u përfshinë Boeing-ët 737 Max 8 dhe të dy ndodhën disa minuta pas ngritjes.

"Aksidentet janë shumë komplekse. Pra mund të ketë shumë faktorë të cilët mund të jenë të paparashikuar, që mund të çojnë apo të kenë ndikuar tek një aksident. Por nuk është e mundur të dilet në një përfundim nga ato pjesë informacioni në dukje të ngjashëm", thotë John Strickland, ekspert i aviacionit, JLS Consulting.

Hetuesit indonezianë nuk e kanë përcaktuar shkakun e rrëzimit që ndodhi në muajin tetor, por pas këtij aksidenti, kompania Boeing u dërgoi një njoftim kompanive ajrore ku thoshte se informacionet e gabuara nga një sensor, mund të bëjnë që avioni automatikisht ta drejtojë pjesën e përparme të tij, poshtë. Njoftimi u kujtonte pilotëve procedurën për trajtimin e një situate të tillë.

"Ka ka kaq shumë sisteme sigurie, jo vetëm tek Boing 737, por tek të gjithë aeroplanët modernë që fluturojnë, që e parandalojnë një pilot të bëjë atë që kompjuteri mendon se është një e informacion i i gabuar. Kjo nuk ka të bëjë me debatin rreth inteligjencës artificiale, por me faktin se ekzistojnë disa sisteme të cilat i ndalojnë njerëzit të bëjnë korrigjime shumë të mëdha, të fusin informacione korrigjuese të mëdha ose që i ndalojnë ata të bëjnë diçka që do të kishte efekt të kundërt. Mendoj se këto janë sisteme që nganjëherë e bllokojnë atë që piloti po përpiqet të bëjë, me qëllimin për të shpëtuar situatën", thotë Roger Whitefield, shefi për Sigurinë dhe Cilësinë në kompaninë British Airways.

Avioni Boeing 737 u prezantua për herë të parë në vitin 1967 dhe është një nga avionët me përdorim të gjerë për transportin e pasagjerëve në botë. Modeli i ri Max 8 e kreu fluturimin e parë në vitin 2017.

Pas aksidentit që ndodhi në Etiopi, ditën e hënë, aksionet e kompanisë Boeing shënuan një rënie me 10 për qind.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG