Lidhje

Ashpërsohet qëndrimi amerikan ndaj Koresë së Veriut


Koreja e Veriut duhet të heqë dorë tërësisht nga armët e saj bërthamore para se Shtetet e Bashkuara të fillojnë heqjen e sanksioneve. Ky koment erdhi të hënën nga i dërguari i lartë i Shteteve të Bashkuara në Korenë e Veriut dhe lë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara po e ashpërsojnë qëndrimin pas samitit të dytë mes presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit Kim Jong Un - një takim që përfundoi pa marrëveshje.

Për Shtetet e Bashkuara, është një strategji e tipit "gjithçka ose asgjë" për të eliminuar armët bërthamore të Koresë së Veriut.

Megjithëse Presidenti Trump kishte sinjalizuar elasticitet përpara takimit të tij të muajit të kaluar me Kim Jong Unin, negociatori i lartë amerikan për Korenë e Veriut tani po dërgon një mesazh më të ashpër.

"Ne nuk do të bëjmë denuklearizim me faza. Presidenti ka qenë i qartë në mesazhin e tij dhe ky është një pozicion rreth të cilit qeveria amerikane ka unitet të plotë", tha zoti Stephen Beigun.

Kim Jong Un ka thënë se është i gatshëm të fillojë çmontimin e pjesëve të programit të tij bërthamor në këmbim të masave korresponduese nga ana e Shteteve të Bashkuara. Në veçanti, Kim dëshiron lehtësim të sanksioneve.

Koreja e Veriut duket se po e mbështet këtë kërkesë me një kërcënim për më shumë prova raketash.

Imazhet satelitore tregojnë se Koreja e Veriut ka rindërtuar pjesët e një stacioni për lëshimin e satelitëve dhe ka shtuar aktivitetin në një qendër që përdoret për të montuar raketa dhe armë balistike.

"Kjo tregon zemërimin e tyre që samiti nuk përfundoi mirë, por është gjithashtu një presion për negociata të ardhshme. Ky është qëndrimi i tyre tradicional negociues, kërcënimi për prova me raketa", thotë Bill Richardson, ish ambasador i Shteteve të Bashkuara në OKB.

Pyetja që shtrohet është si do t’i përgjigjet Uashingtoni një prove me raketa të Koresë së Veriut.

"Do të zhgënjehesha shumë me kryetarin Kim. Nuk mendoj se kjo do të ndodhë, por do të shohim nëse ndodh", tha presidenti Trump.

Ngërçi i tanishëm është një provë e rëndësishme për të parë nëse marrëdhënia Trump-Kim mund të ndihmojë në ringjalljen e negociatave bërthamore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG