Lidhje

Beto O’Rourke shpreson të sjellë energji tek demokratët


Ish-ligjvënësi nga Teksasi, Beto O'Rourke, është një tjetër politikan që hynë në garë për të marrë emërimin e partisë demokrate si kandidat i saj për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Në këtë garë

tashmë ka një numër të madh dhe të larmishëm kandidatësh. Ligjvënësi O'Rourke ishte pak i njohur në shkallë vendi përpara se të garonte kundër senatorit republikan Ted Cruz nëntorin e kaluar, një garë që e humbi me rezultat të ngushtë. Tani ai shpreson të shfrytëzojë këtë rritje të shpejtë të popullaritetit për t’u bërë President i vendit në vitin 2020. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjellë hollësitë:

Beto O'Rourke, kandidat për president tha:

"Po hyj në garë për t'ju shërbyer si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Faleminderit."

Pas disa muajsh pritjeje, ish-ligjvënësi nga Teksasi, Beto O'Rourke nisi fushatën e tij presidenciale në shtetin e Ajovës, një nga shtetet e para që mban zgjedhjet paraprake, me një video në internet:

"Ne vërtetë jemi shpresa e fundit e madhe e botës. Në këtë moment të rrezikut maksimal dhe të potencialit maksimal, le t’i tregojmë vetes dhe atyre që do të na pasojnë në këtë vend të madh se kush jemi dhe çfarë mund të bëjmë".

Në moshën 46-vjeçare, O'Rourke sjell një energji të re dhe aftësi të veçantë të mbledhjes së fondeve në një garë të mbushur me kandidatë dhe të larmishme presidenciale të demokratëve.

Ish-ligjvënësi O’Rourke tërhoqi vëmendjen kombëtare vitin e kaluar pasi ai gati mposhti senatorin republikan të Teksasit, në një fushatë që frymëzoi demokratët përtej kufijve të këtij shteti konservator.

"Ne nuk do të përkufizohemi nga ato që kundërshtojmë, ose nga gjërat nga të cilat jemi të frikësuar."

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump tha se është i gatshëm të garojë kundër çdo kandidati demokrat vitin e ardhshëm, pavarësisht nëse është O'Rourke apo dikush tjetër:

"Unë kurrë nuk kam parë kaq shumë lëvizje të duarve. Thashë me vete: "A është i çmendur apo kjo është mënyra tij e zakonshme?" Mendoj se do të jetë e vështirë për këdo. Kushdo që të jetë, për mua nuk ka rëndësi,"- tha ai.

Zoti O'Rourke i bashkohet një grupi të larmishëm kandidatësh, që pasqyron një gamë të gjërë pikëpamjesh politike, nga ato të qendrës deri tek ato ultra-liberale, thotë analisti John Hudak.

"Mendoj se do të shohim një debat energjik të ideve dhe çështjeve që nuk e pamë aq shumë në vitin 2016 dhe që me siguri nuk do ta shohim në anën e republikanëve"- thotë John Hudak, i Institutit Brookings

O'Rourke mbështet idenë e kujdesit shëndetësor për të gjithë, mbrojtjen e emigrantëve dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Ai gjithashtu sjell pasion në garë, por do të përballet me kandidatë të njohur, të cilët janë po aq energjikë, si senatorja demokrate nga shteti Masaçusets, Elizabeth Warren:

"Kur një qeveri punon shumë për ata që kanë para dhe pushtet dhe jo për pjesën tjetër të popullit, kjo është thjesht korrupsion, dhe duhet ta quajmë ashtu siç është".

Ish-nënpresidenti Joe Biden tha se ai së shpejti do t’i bashkohet garës për president dhe shpejt mund të bëhet kryesues i saj.

Por disa demokratë mund të kërkojnë një kandidat jashtë klasës së njohur politike për t’iu kundërvënë Presidentit Trump vitin e ardhshëm, thotë Will Marshall nga Instituti i Politikave Progresive:

"Njerëzit nuk po kërkojnë përvojë nga Uashingtoni tek presidenti i tyre. Ata duan të sfidojnë një kulturë politike, një klasë politike që ata mendojnë se është jofunksionale".

Zoti O'Rourke do të bëjë disa ndalesa në turneun e tij në Ajova dhe më pas do të mbajë një tubim të madh fushate në qytetin e tij të El Pasos, në Teksas, më 30 mars.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG