Lidhje

SHBA dënon sulmin, shpreh ngushëllimet për popullin e Zelandës së Re


Presidenti i SHBA Donald Trump shprehu ngushëllimet dhe ofroi ndihmën e administratës së tij për popullin e Zelandës së Re pas sulmeve vdekjeprurëse në dy xhami në Christchurch, duke e quajtur ngjarjen "një masakër të tmerrshme".

Ai tha se i kishte komunikuar Kryeministres së Zelandës së Re Jacinda Ardern në një bisedë telefonike se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të japin çdo ndihmë pas vrasjes së 49 personave në dy xhami në Zelandën e Re.

"E informova Kryeministren se qëndrojmë në solidaritet me Zelandën e Re dhe se çdo ndihmë që Shtetet e Bashkuara mund të japin, ne jemi gati për të ndihmuar," tha Presidenti Trump në Twitter.

Nënpresidenti Mike Pence shprehu gjithashtu ngushëllimet në Twitter duke dënuar “ fuqimisht këtë sulm ndaj njerëzve të besimit".

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se "dënon fuqimisht" sulmin, duke e quajtur një "veprim të egër urrejtjeje".

Sulmi gjatë lutjeve të së premtes la 49 të vdekur dhe dhjetra të plagosur. Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern e dënoi aktin si terrorizëm.

Këshilltari i Sigurisë i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton e cilësoi ngjarjen si "diçka që duket të jetë një sulm terrorist" dhe një "krimi urrejtjeje". Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt nga shumë afër me autoritetet e Zelandës së Re dhe ambasadën e saj në Wellington.

Gjatë një konferencë për shtyp të premten, Sekretari i Shtetit i SH.BA-së Mike Pompeo tha se Uashingtoni e dënon sulmin dhe i shprehu lutjet e popullit amerikan.

"Ne premtojmë solidaritetin tonë të palëkundur me qeverinë dhe njerëzit e Zelandës së Re në këtë orë të errësirës", tha zoti Pompeo.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio njoftoi rritjen e pranisë së policisë në xhamitë e qytetit, edhe pse "nuk ka ndonjë kërcënim specifik apo të besueshëm", siç u shpreh ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG