Lidhje

Çfarë dihet pas rrëzimit të avionit Boeing 737 MAX dhe çfarë pritet


Më shumë se 300 avionë pasagjerësh Boeing 737 MAX 8 dhe MAX 9 janë nxjerrë jashtë qarkullimit në mbarë botën pas dy aksidenteve fatale të pesë muajve të fundit në Etiopi dhe Indonezi si pasojë e të cilëve u vranë rreth 350 persona.

Shkaqet e të dy aksidenteve janë nën hetim. Por një nga pyetjet kryesore që mbetet ende pa përgjigje është: a ishte faji i programit të kompjuterizuar të avionit?

Ajo çfarë dihet deri tani!

Kompania Boeing ka ndaluar shpërndarjen e të gjitha avionëve të rinj MAX tek klientët e saj, pas rrëzimit në Etiopi më 10 mars ku u vranë 157 persona.

Të dhënat satelitore të mbledhura nga avioni i “Ethiopian Airlines” si dhe provat nga vendi i rrëzimit tregojnë ngjashmëri me avionin e kompanisë “Lion Air” që u aksidentua në Indonezi, gjë që nxiti Administratën Federale të Aviacionin të pezullojë të gjithë avionët MAX.

Hetuesit kanë gjetur ngjashmëri të forta tek të dhënat e regjistruara nga kabina e “Ethiopian Airlines” me atë të “Lion Air”, sipas një zyrtari që ka njohuri me këtë çështje.

Grafikët e dy grupeve të të dhënave janë "shumë, shumë të ngjashëm", tha i njëjti zyrtar të hënën.

Hetuesit të cilët po verifikojnë të dhënat e nxjerra nga kutitë e zeza të avionit të rrëzuar në Etiopi kanë gjetur "ngjashmëri të dukshme" me avionin e Lion Air, thanë autoritetet franceze të hënën. Hetuesit kanë gjetur një pjesë të një stabilizatori në rrënojat e avionit etiopian në një pozicion të pazakontë, ngjashëm me atë të aeroplanit “Lion Air”, sipas dy burime që kanë dijeni mbi këtë çështje.

Piloti i avionit “Ethiopian Airlines” pati raportuar probleme me kontrollin e brendshëm dhe kishte kërkuar leje për t'u kthyer nga ishte nisur. Pilot i avionit “Lion Air”, i cili u rrëzua më 29 tetor, kishte kërkuar gjithashtu të kthehej mbrapsht vetëm pak minuta pasi ishte larguar nga Xhakarta.

Avioni i “Ethiopian Airlines” po udhëtonte një shpejtësi jashtëzakonisht të lartë pas ngritjes përpara se aeroplani të raportonte probleme dhe të merrte leje për t'u ngjitur me shpejtësi, tha një burim i cili kishte dëgjuar zërat e regjistruar në pikët e kontrollit të trafikut ajror.

Një zë nga kabina e avionit kërkonte të ngjitej në 4.2 kilometra mbi nivelin e detit, rreth rreth 2 kilometra mbi aeroport, përpara se të kërkonte kthimin urgjent, tha një burim për agjencinë e lajmeve “Reuters” në kushte anonimiteti. Avion u zhduk nga radari në lartësinë e 3.2 kilometrave.

Indonezia ka në plan të shpejtojë me rreth një muaj publikimin e raportit hetimor rreth rrëzimit të avionit të linjës “Lion Air”, sipas një njoftimi të komitetit të sigurisë së transportit. Planifikohet që raporti të publikohet mes muajve korrik e gusht, përpara afatit të parashikuar që ishte mes muajve gusht e shtator.

Pas rrëzimit të avionit të linjës “Lion Air”, kompania Boeing tha se po përgatitej për një përmirësim të programit të kompjuterizuar të avionëve. Por pas aksidentit në Etiopi, kompania tha se do të kryejë këtë përmirësim tek të gjithë avionët në javët në vazhdim.

Kompania Boeing thotë se avionët e rinj të saj, që garantojnë efikasitet në përdorimin e karburantit, janë të sigurt, por u shpreh në mbështetje të vendimit të Administratën Federale amerikane të Aviacionin për të ndaluar fluturimin e këtyre avionëve. Duke iu frikësuar një kostoje financiare dhe dëmtimit të imazhit, investitorët kanë hequr nga tregu rreth 29 miliardë dollarë.

Çfarë pritet të ndodhë?

Ligjvënësit amerikanë thonë se avionët mund të pezullohen për disa javë derisa programet e tyre kompjuterike të përmirësohen si dhe të instalohen në çdo aeroplan.

Kompania Boeing ka në plan të nxjerrë programin e ri të përmirësuar për avionët 737 MAX brenda 10 ditësh njoftuan në 16 mars burime që kanë dijeni mbi këtë çështje.

Asnjë padi nuk është ngritur që nga rrëzimi i avionit të linjës “Ethiopian Airlines” 302, por sipas disa përfaqësuesve ligjore pritet që Boeing të paditet në Shtetet e Bashkuara.

Hetuesit pritet të lëshojnë një raport paraprak bazuar në informacionin që po mbledhin nga regjistruesi i kabinës dhe të dhëna të tjera të regjistruara nga dy kutitë e zeza. Bazuar tek ky informacion shtetet e ndryshme do të vendosin nëse apo kur, do t’i heqin kufizimet ndaj avionëve të kompanisë Boeing.

Kompania ajrore “Ethiopian Airlines” njoftoi më 16 mars se kryerja e provave të AND-së tek mbetjet e trupave të udhëtarëve mund të zgjasin deri në gjashtë muaj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG