Lidhje

Mes parashutistëve që luftojnë me zjarret në Idaho


Ata quhen parashutistët e zjarrit ose “Smokejumpers” dhe nisur nga vetë emri, puna e tyre është shumë e rrezikshme. Ata hidhen me parashutë në zonat ku ka vatra zjarri dhe detyra e tyre është t’i shuajnë ato vetëm me ndihmën e një sopate dhe një sharre. Ata dinë si të mbijetojnë në natyrën e egër e ta mbrojnë atë nga zjarret.

Chris Young erdhi në Grangeville të shtetit Idaho, në bazën e parashutistëve të zjarrit, 15 vite më parë. Aso kohe programi sapo kishte nisur dhe Chris-i kishte vetëm një koleg që hidhej nga ajri. Praktikisht, zjarrëfikës me krahë.

Sot në këtë bazë punojnë 30 vetë, të gjithë zjarrëfikës me eksperiencë që fillimisht duhej të mësojnë teknikët e hedhjes me parashutë.

“Shkojmë në vendngjarje me shpejtësi sepse biem pikiatë në vijë të drejtë tek objektivi që zakonisht ndodhet në zona të largëta”, thotë menaxheri i bazës së parashutistëve të zjarrit Chris Young.

“Që të bëhesh parashutist zjarri duhen të paktën pesë javë stërvitje”, thotë zoti Young.

Nga momenti që bie alarmi, ata kanë tre minuta kohë të bëhen gati me të gjitha pajisjet. Kjo është e ndërlikuar ndaj ata gjithmonë punojnë në çift.

“Kostumet dhe pajisjet janë të prodhuara këtu. Nuk mund të blihen në dyqane. Kostumet dhe parashutat janë të bëra nga një material që quhet “kevlar” pasi nuk shpohet nga degët e pemëve dhe ka një veshje të fortë nga brenda.”

Këpucët e tyre janë shumë të forta. Në një çantë të posaçme mbajnë ujë, doreza, helmetën, një parashutë rezervë dhe pasjisje të tjera që i mbrojnë ndaj zjarrit, krahas sendeve personale. Reily, një nga pjestarët e parashutistëve të zjarrit tregon për kostumet që veshin dhe punën e tyre të rrezikshme.

“Është e parehatshme, e ngushtë dhe e nxehtë. Por ajo që vjen pas më jep nxitje. Pjesa më e bukur është kur ngrihesh me aeroplan, vë zjarrin nën shënjestër dhe pastaj hidhesh për të kryer detyrën.”

Ai ka më pak se një vit në këtë detyrë, por ka “luftuar” me pesë situata të ndryshme zjarresh.

“Zemra fillon të të rrahë shumë madje para se të ngjitesh në ajër dhe kur je atje sipër gjithçka bëhet reale. Shikon nga lart zjarrin dhe se ku duhet të zbresësh dhe vëzhguesi të informon mbi atë që po ndodh.”

“Kujton ato që ke mësuar gjatë stëvitjes dhe hidhesh nga avioni ashtu siç duhet”, thotë Riley.

Ata zbarkojnë në një distancë të parrezikshme nga qendra e zjarrit dhe presin t’u hidhen pajisjet nga ajri, mes tyre një sopatë speciale dhe një sharrë dore.

Pas shuarjes së zjarrit, ata përshkuajnë një distancë në këmbë, në disa raste me kilometra të tëra, që të arrijnë në një pikë ku duhet t’i marrin për t’i rikthyer në bazë.

Për parashutistët e zjarreve piku i sezonit nis në maj dhe përfundon në shtator.

Shumica e tyre e kalojnë vjeshtën, dimrin dhe fillimin e pranverës duke punuar në stacionet e zakonshme të zjarrëfiksëve. Me ardhjen e valës së të nxehtit, atyre u kërkohet sërish kontributi me sopatë e sharrë në dorë krahas guximit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG