Banka Botërore bëri të ditur se tregu i punës në Ballkanin Perëndimor vazhdon të përmirësohet, por me një ritëm më të ngadaltë se një vit më parë dhe pavarësisht rritjes më të fortë ekonomike në rajon.
Raporti “Trendet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor për vitin 2019" u publikua sot nga Banka Botërore dhe Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.
Vitin e kaluar u hapën rreth 68 mijë vende pune, krahasuar me 231 mijë vende pune një vit më parë.
“Shqipëria dhe Mali i Zi raportuan rritjen më të madhe të vendeve të punës në rajon, me 3.3 përqind secila, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me një rritje prej 2.1 përqind” - thotë raporti.
Shumica e vendeve të reja të punës u krijuan në industri dhe shërbimeve.
Sipas studimit, gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në tregjet e punës në vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse mbi gjysma e rritjes së punësimit është regjistruar në radhët e tyre.
“Papunësia pësoi ulje historike në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga 16.2 për qind në 15.3 për qind; normat ishin nga rreth 12 për qind në Serbi dhe Shqipëri në 29 për qind në Kosovë” - shtoi studimi.
Ekspertët pohuan se rajoni përjetoi një rënie të ndjeshme të papunësisë afatgjatë, por papunësia në Ballkanin Perëndimor mbeti një sfidë e konsiderueshme, sepse nivelet ishin dy - tre herë më të larta se në vendet e BE-së.
Raporti vëren se punësimi informal, një nga sfidat më të mëdha të tregjeve të punës të Ballkanit Perëndimor, është ende në rritje në Shqipëri dhe në Maqedoninë Veriore, por ra në Serbi.
Në vitin 2018 ishin të rinjtë, gratë e moshuara dhe punonjësit me arsim të ulët ata që kishin më shumë gjasa të kryenin punë informale.
"Trendi ngadalësues nxjerr në pah një sërë shqetësimesh", - tha Linda Van Gelder, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. - Ne kemi nevojë për një sektor privat më të fuqishëm që gjeneron vende pune si dhe për politika publike të përshtatshme, që përmirësojnë cilësinë e fuqisë punëtore në raport me tregun e punës në të ardhmen".
Punësimi i të rinjve u përmirësua dhe norma e papunësisë së tyre ra me 3 - 34.6 për qind. Shumica ishin të papunë afatgjatë; 70 përqind në Bosnje e Hercegovinë dhe në 43 përqind në Malin e Zi. Afro gjysma e të rinjve punonin me kontratë të përkohshme, dukuri që preku 8 nga 10 punëtorë në moshë të re në Kosovë dhe Mal të Zi. Përqindja e të rinjve të papërfshirë në punësim, arsim dhe trajnime mbeti e lartë deri në nivelin 22.3 për qind. Pagat dhe kostot e krahut të punës ishin dukshëm më të ulëta në Ballkanin Perëndimor, krahasuar me BE-në.
“Trendet e fundit në produktivitet dhe në rritjen e pagave janë shqetësuese dhe duhet të trajtohen nga politikëbërësit për të ndihmuar punësimin", - tha Robert Stehrer, Drejtor Shkencor i Institutit të Vjenës për Studimet Ekonomike Ndërkombëtare.
Raporti zbuloi se tatimi mbi të ardhurat e krahut të punës në Ballkanin Perëndimor është relativisht i lartë për punonjësit me pagë të ulët dhe për punëtorët me përgjegjësi familjare, që kanë persona të tjerë në varësi
Punonjësit me pagë të ulët janë në një situatë edhe më të pafavorshme në tregun formal të punës sa i takon pagës së tyre neto dhe kostos relativisht të lartë të punësimit të tyre krahasuar me personat me të ardhura të mesme ose të larta.
Sipas studimit, këto disavantazhe kthehen në një pengesë shtesë për punonjësit në pritje për sistemim në vende formale pune si edhe për vetë firmat për të hapur vende formale pune, veçanërisht për punonjësit me arsim të ulët dhe punonjësit e tjerë me pagë të ulët.
Ekspertët propozuan një reformë të gjerë në gjithë sistemin e tatimit të krahut të punës dhe të sigurimeve shoqërore, e cila mund të ringjallë tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor.
Facebook Forum