Lidhje

Bisedimet tregtare me Kinën


Kina thotë se një delegacion amerikan i rangut të lartë do të shkojë në Pekin javën e ardhshme për të rifilluar negociatat që synojnë zgjidhjen e luftës tregtare midis dy ekonomive kryesore të botës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë Gao Feng njoftoi të enjten se Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë Robert Lighthizer dhe Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin do të vizitojnë kryeqytetin kinez më 28 dhe 29 mars, pasuar nga një vizitë në Uashington në fillim të prillit nga zëvendëskryeministri kinez Liu He.

Lufta tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës filloi vitin e kaluar kur Presidenti Donald Trump imponoi tarifat ndëshkuese ndaj importeve kineze me vlerë 250 miliardë dollarë për të detyruar Pekinin që të ndryshojë praktikat e tij tregtare. Kina u hakmor me rritjen e tarifave të saj ndaj eksporteve të SHBA me vlerë 110 miliardë dollarë.

Administrata e Presidentit Trump po i bën trysni Kinës t'i japë fund praktikës së saj që i detyron kompanitë amerikane të transferojnë teknologjitë e tyre tek firmat kineze.

Presidenti Trump fillimisht vendosi si afat 2 marsin që dy palët të arrinin një marrëveshje, përndryshe SHBA do të impononin një rritje tarifash prej 10 deri në 25 përqind. Në fund të muajit të kaluar ai e shtyu afatin duke thënë se në negociata ishte bërë përparim i ndjeshëm.

Por presidenti kinez Xi Jinping thuhet se ka anuluar planet e mëparshme për të vizituar rezidencën Mar-a-Lago të Presidentit Trump në Florida muajin e ardhshëm për të nënshkruar një marrëveshje përfundimtare, një shenjë kjo se bisedimet kanë ngecur.

Të mërkurën, Presidenti Trump paralajmëroi se tarifat amerikane mund të mbeten në fuqi për një "periudhë të konsiderueshme" për të garantuar se Pekini do ta zbatojë marrëveshjen që mund të arrihet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG