Lidhje

Maqedoni e Veriut, 4 të vdekur në një aksident ajror


Katër pasagjerë u gjetën të vdekur pas aksidentit të një aeroplani të tipit Cesna që u rrëzua të marten në malin Jakupica në Maqedoninë e Veriut. Të gjithë vitkimat ishin shtetas bullgarë, anëtarë të një familjeje që fluturonin nga aeroporti i Ohrit për në Sofje.

Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup bëri të ditur të mërkuren se pjesëtarët e policisë e kishin gjetur vendin e rrëzimit të avionit mbrëmjen e së martes rreth pesë kilometra nga maja e quajtur Solunska gllava. Por për shkak të terrenit dhe motit të keq nuk kishin mundur të ngjiteshin atje. Në aksident e humbën jetën Georgi Boshnakov, 49 vjeç, gruaja e tij, Kalina Kornejeva Boshnakova 47 vjeçe dhe dy vajzat, 18 dhe 14 vjeçe.

Autoritetet policore maqedonase nuk po komentojnë mbi spekulimet e medias bullgare se piloti në një çast kishte kërkuar të zbriste në aeroportin e Shkupit por se kjo nuk i ishte mundësuar për shkak të vizitës së kryeministrit grek.

Prokuroria publike, shërbimet policore, Instituti i forenzikës dhe Komiteti për hetime të fatkeqësive ajrore janë duke bërë hetime.

Sipas medias në Bullgari, Georgi Boshnakov kishte poseduar leje amatore për pilotim të avionëve të vegjël dhe se terreni ku ishte rrëzuar avioni ishte i rrezikshëm, me maja të thepisura dhe mjegull.

Por, hetimet e plota duhet të zbulojnë nëse bëhet fjalë për gabim të pilotit apo shkaqe të tjera që çoi në këtë aksident.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG