Shtetet e Bashkuara i dhuruan sot Forcave të armatosura të Shqipërisë 37 mjete të mbrojtura dhe rezistente ndaj pritave dhe kurtheve të minuara. Automjetet, të markës International MaxxPro MRAP (Mine Resistant Ambush Protected), kanë një ekuipazh prej 3-7 ushtarakësh. Ato janë pjesë e një pakete mbështetjeje për ushtrinë shqiptare, me një vlerë totale prej 12 milion dollarësh, e nisur që prej viti 2017. Deri më tani forcat e armatosura kanë në përdorim dhe 98 automjete të blinduara të
markës HMMWV 1114, të cilat kanë një shpejtësi maksimale 125 km/h, kapacitet mbajtës 1+3+1 pushkatar, peshojnë 6 ton si dhe kanë autonomi lëvizjeje 443 km. Mjetet e blinduara janë të pajisura me sistem të mbajtjes së armëve mitraloz të rëndë dhe mitraloz të lehtë si dhe granatëhedhës.
“Kjo aftësi e re e blinduar do të rrisë mbrojtjen e brendshme të Shqipërisë, do të forcojë krahun jugor të NATO-s dhe do të sigurojë fuqi vendimtare luftarake në NATO që mund të dislokohet në mbështetje të operacioneve globale. Ky është një tjetër shembull se si Shqipëria po rritet si një lider rajonal në Ballkan. Nën drejtimin e shkëlqyer të ministres Xhaçka dhe gjeneral Kollçakut, komunikimi dhe bashkëpunimi midis forcave tona ushtarake nuk ka qenë kurrë më i fortë ndërsa shpërndarja e këtyre automjeteve shënon përfundimin e një faze të bashkëpunimit tone”, deklaroi e ngarkuara me punë e SHBA-ve në Shqipëri, Leyla Moses-Ones, gjatë ceremonisë së dhurimit.
“Kjo paketë përkthehet në më shumë cilësi kapacitetesh, më shumë angazhime të përbashkëta dhe sigurisht në më shumë siguri si për vendin tonë ashtu edhe për aleancën. Armatimi i ri sipas standardit të NATO, paketa e re e automjeteve te blinduara HMMËV dhe MRAP që po ju shtohen inventarit të pajisjeve të FA-ve, po e ndryshojnë cilësisht realitetin e përditshëm të punëve të ushtarakëve tanë si dhe po rrisin dita –ditës performancën e tyre, gjatë ushtrimit të detyrave në teatrot e operacioneve ku marrin pjesë. Mjetet – vijoi më tej ministrja shqiptare - do të mundësojnë zgjerimin e spektrit të detyrave dhe misionit të trupave tanë dhe do të rrisin sigurinë e personelit sidomos ndaj minave dhe mjeteve shpërthyese të improvizuara, i cili konsiderohet tashmë si një prej kërcënimeve më të pranishme në mjedisin operativ.”- u shpreh zonja Xhaçka.
Facebook Forum