Në Shqipëri, prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot dënimin me 18 vjet burg për Klement Balilin, i dyshuar të jetë një prej trafikantëve më të rëndësishëm të drogës. I dorëzuar në polici në Janar, pas më shumë se 2 vjet e gjysëm arratije, ai akuzohet për të paktën katër vepra penale, që nga trafiku i lëndëve narkotike, te pjesmarrja në grup kriminal, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Emri i Balilit doli gjatë një hetimi i cili u finalizua në fillim të muajit maj të vitit 2016, me një operacion të ndërmarrë nga autoritetet greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane, ku u sekuestruan mbi 670 kilogram marijuhanë në ishullin Zakintos në Greqinë lindore. Në këtë operacion u përfshi dhe policia shqiptare si dhe autoritetet e disa vendeve të Bashkimit europian, ku mendohej të kishte shtrirë rrjetin e trafikut organizata, një prej krerëve të së cilës dyshohet të jetë Klement Balili, i përkufizuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”. Një numër i madh anëtarësh dhe drejtuesish të organizatës u arrestuan në Greqi dhe në disa vende të tjera europiane, ndërkohë që Balili vetë mundi të shpëtojë.
Fillimisht Balili u shfaq publikisht në Sarandë, duke mohuar akuzat, ndërsa më pas u zhduk pa lënë gjurmë. Mes institucioneve shqiptare pati një ping pong të gjatë të hedhjes së përgjegjësisë, me policinë e cila deklaroi se kishte kërkuar urdhër arresti nga prokuroria, ndërkohë që kjo e fundit, kishte shpjeguar se nuk mund të vepronte përsa kohë nga hetimi nuk kishin dalë prova për veprimtari të paligjshme në Shqipëri, e se për këtë arsye ishin kërkuar materiale nga pala greke. Dosja për Balilin nga Greqia mbërriti në fund të vitit të shkuar, dhe policia organizoi gjatë muajit dhjetor disa operacione për kapjen e tij, të cilat rezultuan të pasuksesshme.
Që në momentet e para, rasti Balili u vesh me dyshime të forta. Në atë kohë, media greke CNN Greqi, hyri në polemika me ambasadën shqiptare në Athinë pasi botoi një shkrim në të cilin duke iu referuar burimeve të autoriteteve greke, theksonte se oficerë të policisë shqiptare u kishin deklaruar partnerëve greke gjatë një takimi sekret në Shqipëri se “baronin shqiptar” nuk mund ta arrestonin për shkak se ai kishte mbrojtje politike ne Tiranë. Balili ishte drejtor i Drejtorisë rajonale të Transportit në Sarandë, i emëruar në 2014. Njëri nga nipat e Balilit ishte zgjedhur në atë kohë kryetar i Bashkisë së Delvinës, në jug të vendit, nën siglën e LSI-së, ndërsa një vëlla i tij ka qenë gjithashtu koordinar i LSI-së po në Jug të vendit.
Vëllezërit Balili kanë patur aktivitete të shumta tregtare që nga transporti te ato të sigurisë së objekteve, apo peshkimit. Ndërsa në 2015 inauguruan një investim mjaft të shtrenjtë duke kthyer ish Kampin e punëtorëve në Sarandë në një hotel luksoz. Në ceremoninë e organizuar në muajin gusht, morën pjesë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë. Javën e shkuar Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi konfiskimin e pasurive të Balilit, mes të cilave disa troje, 23 apartamente si dhe Hotelin Santa Quaranta në Sarandë.
Prokuroria shqiptare ka përdorur si prova, përgjimet e e realizuara gjatë hetimeve në Greqi. Sipas saj, pjesmarrja e Balilit në grupin e narkotrafikut u zbulua kur i dërgoi me mesazh numrin e pasaportës, njërit prej anëtarëve të grupit. Prokuroria deklaroi se gjatë hetimit ka rezultuar që bashkëshortja e Balilit ka fshehur një llogari bankare prej 30 mijë eurosh me origjinë të dyshimtë dhe dy aktivite tregtare.
Avokati i Balilit tha se Prokuroria nuk ka sjellë asnjë element të ri dhe se për asnjë moment nuk është provuar se klienti i tij ka bërë pastrim parash. Gjykata pak kohë më parë pranoi gjykimin e shkurtuar për Balilin, gjë që i jep atij mundësi që në rast dënimi të përfitojë një ulje me një të tretën.
Facebook Forum