Lidhje

SHBA, Garda Revolucionare e Iranit në listën e terroristëve


Administrata Trump njoftoi të hënën përcaktimin e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) dhe njësinë e saj sekrete të quajtur Quds, si organizatë e huaj terroriste. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se ushtria e Iranit po i bashkohet në këtë mënyrë listës së grupeve terroriste që ka financuar deri më tani. Përcaktimi i gardës revolucionare iraniane si organizatë terroriste, i krijon mundësi Shteteve të Bashkuara të vendosin sanksione të tjera mbi Iranit, çka do të dëmtonte bizneset që e financojnë atë.

Garda Revolucionare iraniane është një degë e forcave të armatosura të vendit e themeluar pas Revolucionit Islamik të vitit 1979. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se sundimtarët e Iranit e kanë përdorur atë gjatë 40 viteve të fundit për të eksportuar me çdo mjet, revolucionin e regjimit.

"Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike maskohet si një organizatë legjitime ushtarake, por askush nuk duhet të mashtrohet. Kjo organizatë shkel rregullisht ligjet mbi konfliktet e armatosura, planifikon, organizon dhe ekzekuton fushata terroriste në mbarë botën", tha sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Zoti Pompeo tha se Garda Revolucionare dhe njësia e saj sekrete Quds do të futën në të njëjtën listë ku ndodhen grupet terroriste që mbështeten prej tyre, sikurse Hezbollahu libanez, brigada palestineze Hamas dhe brigada Hezbollah e Irakut.

Zyrtarët amerikanë thonë se një përcaktim i tillë do të ketë ndikim tek bizneset iraniane të cilat financojnë njësinë e sigurisë dhe aktivitetet e saj terroriste.

"Ne gjithashtu po e dënojmë këtë organizatë dhe po i bëjmë të ditur botës rreziqet që u kanosen nëse punojnë me këtë organizatë e cila sipas disa vlerësimeve kontrollon më shumë se gjysmën e ekonomisë së Iranit", thotë Brian Hook i Departamentit të Shtetit.

Në përgjigje të vendimit të Uashingtonit, të hënën Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit e përcaktoi Komandën Qendrore të Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) si një organizatë terroriste dhe qeverinë amerikane si financuese të terrorit.

Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Irani kanë mbështetur forcat që kanë luftuar kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Por Shtetet e Bashkuara fajësojnë milicinë e mbështetur nga Irani në Irak për vrasjen e më shumë se 600 trupave amerikane dhe për vënien nën shënjestër për dekada të tëra, të ushtarakëve amerikane në mbarë botën.

"Në mënyrë të pashpjegueshme regjimi nuk është përballur me llogaridhënie nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për ato vdekje. Vendimi ynë nuk është një sulm arbitrar ndaj Iranit, fushata jonë e presionit imponon pasoja të gjata dhe të drejta për veprimtarinë malinje të regjimit", tha Mike Pompeo, sekretari i Shtetit.

Përcaktimi i Gardës Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste nga ana e Shteteve të Bashkuara, hyn në fuqi të hënën që vjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG