Lidhje

Fushata presidenciale në Maqedoninë e Veriut


Fushata presidenciale në Maqedoninë e Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:53 0:00

Në Maqedoninë e Veriut po mbahet fushata presidenciale. Tre kandidatët, veç në mitingje, janë aktivë edhe nëpër rrjetet sociale duke u përpjekur të përfitojnë kështu përkrahjen e votuesve. Zgjedhjet mbahen më 21 prill, por fituesin pritet ta përcaktojë balotazhi i datës 5 maj.

Ndërsa zgedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut po afrohen, tre kandidatët në garë po zhvillojnë një fushatë me mitingje jo aq të mëdha, siç ka qenë praktikë në të kaluarën. Garuesit, ndërkohë po aplikojnë një qasje të takimeve të vogla me njerëz nëpër tregje, apo rrugë të frekuenturara të qyteteve.

Stevo Pendarovski, Blerim Reka dhe Gordana Siljanovska Davkova janë mjaft të ashpër në kritikat, jo aq ndaj njëri tjetrit sa ndaj partive rivale. Garuesit ,po ashtu flasin për politika që u përkasin pushteteve ekzekutive, ligjvënëse apo lokale, ndërsa roli i presidentit në Maqedoninë e Veriut është më shumë ceremonial, me kompetenca që kanë të bëjnë me ushtrinë dhe punët e jashtme të vendit.

Stevo Pendarovski është kandidat i përbashkët i Lidhjes Social Demokrate, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe i partive më të vogla të koalicionit qeveritar, i mbështetur edhe nga dhjetra parti jashtë-parlamentare dhe shoqata të tjera. Në kohën që një numër personash të dënuar për veprën “rrezikim terrorist i rendit kushtetues” lidhur me ngjarjet e 27 prillit të 2017-s në parlament i kanë kërkuar presidentit në largim Gjorgje Ivanov që t’i falë dhe lirojë nga burgu, zoti Pendarovski përgjigjet:

“Në mandatin tim, nuk do të ketë as shanse teorike që të amnistoj kriminelë të cilët duan të vrasin qytetarë të këtij vendi. Këtij njeriu, - vazhdoi Pendarovski – për tetë vjet me radhë nuk i dëgjohej zëri për të gjitha të bëmat e pushtetit të kaluar, ndërsa dy vjetët e fundit bëri gjithçka për t’i bllokuar proceset e shtetit”, u shpreh Pendarovski për presidentin Gjorgje Ivanov.

Blerim Reka ka mbështetjen e partive opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Zoti Reka ngre shqetësime për largimin në numër të theksuar të të rinjve dhe familjeve për një jetë më të mirë në vendet e Evropës, çka ai e quan eksod, ndërsa flet edhe për kriminalitetin në radhët e zyrtarëve qeveritarë dhe mungesën e reformave në drejtësi. Zoti Reka e ngre si çështje edhe atë të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Gordana Siljanovska e VMRO-DPMNE-së është gruaja e parë që futet në garë presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Ajo, sikurse VMRO-ja nuk e njeh emrin e ri Maqedonia e Veriut, teksa thotë se nëse bëhet presidente nuk do ta pranojë Marrëveshjen e Prespës. Zonja Siljanovska, e cila në vitet ’90 ka qenë ministre në qeverinë e social-demokratëve të Branko Cërvenkovskit, thotë se dygjuhësia, përkatësisht nga shtrirja e përdorimit të gjuhës shqipe këtu nuk është e zbatueshme.

“Në shoqëritë shumetnike duhet patjetër të ketë një kod për komunikim”, shprehet ajo, duke dhënë shembuj siç janë SHBA-ja e Britania e Madhe.

Një numër analistësh vlerësojnë se Gordana Siljanovska do të paraqiste vazhdimësinë e politikave të presidentit në largim Gjorgje Ivanov, duke u përpjekur për të bllokuar proceset dhe politikat e qeverisë aktuale. Siljanovska synon votat e maqedonasve dhe atyre me pikëpamje nacionaliste maqedonase, për dallim nga Stevo Pendarovski, i cili pritet ta ketë mbështetjen edhe të shqiptarëve. Në sondazhe ai qëndron më së miri. Blerim Reka, sipas analistëve, mund të marrë disa dhjetra mijë vota të shqiptarëve por vështirë se kalon në balotazh.

Zgjedhjet mbahen më 21 prill. Që një garues t’i fitojë ato në raundin e parë i duhen mbi 900 mijë vota, ose gjysma e votave të elektoratit që nuk është e mundur, duke ditur mbështetjen që kanë secila prej partive dhe interesin e votuesve për këtë garë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG