Lidhje

Grabitja, në aeroport forcat e ushtrisë për sigurinë


Në Shqipëri, forcat e ushtrisë do të angazhohen për ruajtjen e sigurisë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës, pas grabitjes së ndodhur dje pasdite në pistën e tij, ku u morën 10 milion euro. Ndërkohë dhe roli e përgjegjësitë e policisë do të rriten. Ngjarja e djeshme, thuajse me të njejtën skemë si ajo e tre viteve më parë, ka provokuar sërish debate të mbi përgjegjësitë për sigurinë. Autoritetet kanë akuzuar drejtpërsërdrejti kompaninë kineze China Everbright Limited e cila ka në administrim aeroportin se nuk ka respektuar standartet për garantimin e sigurisë. Kjo e fundit është kundërpërgjigjur duke përgënjeshtruar ministrinë e Brendshme. Ndërsa Presidenti Ilir Meta deklaroi se përsëritja e kësaj ngjarjeje është sipas tij “dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë të institucioneve të sigurisë”.

Sot pasdite ishte ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e cila njoftoi se “në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aerportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura. Kjo – theksoi ministrja - është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet europian, ku njësi të Forcave të Armatosura vendosen në mbështetje të kolegëve të tyre të Policisë, me qëllim, garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë dhe mbi të gjitha, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve”.

Në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama theksoi se “kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi njësoj në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s'do pranojë asnjë justifikim nga kompania dhe do marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm e të sigurisë së brendshme”.

Më herët kishte qenë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i cili u shpreh se “kompania kineze që ka koncesionin e aeroportit të Rinasit ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj për garantimin e parametrave të sigurisë fizike. Koncesionari dhe kontraktori i zgjedhur prej tij, që përgjigjet për sigurinë fizike të Aeroportit, nuk kanë arritur të zbatojnë standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil (ICAO), megjithëse vetëm për llogari të sigurisë kanë arkëtuar rregullisht dhe pa ndërprerje 3 euro për çdo pasagjer që ka dalë nga ky aeroport”.

Zoti Lleshaj, foli për një marrëdhënie të vështirë me drejtuesit e aeroportit që pas grabitjes së parë të ndodhur në 2016, duke u shprehur se “koncesionari jo vetëm që ka refuzuar zbatimin e kërkesave të shumta dhe të herëpashershme të Policisë së Shtetit për marrjen e masave në drejtim të sigurisë fizike, por në shumë raste as nuk ka denjuar të kthejë qoftë edhe përgjigje formale për korrespondencën e përsëritur zyrtare”. Madje sipas tij, dje, kur grabitësit kanë hapur për pak sekonda njërën nga porta e jashtme të rrethimit të aeroportit “Koncesionari dhe Kontraktori i tij për sigurinë nuk kanë arritur madje as të sinjalizojnë policinë për këtë thyerje të patolerueshme të sigurisë”. Ministri premtoi se nisur nga ngjarje e djeshme “autoritetet shtetërore shqiptare do të marrin masa ligjore të shpejta dhe të forta për të garantuar pa asnjë mëdyshje të gjitha parametrat dhe standardet e nevojshme të sigurisë në Aeroport”.

Por kompania kineze reagoi pas deklarateve të ministrisë së Brendshme duke i konsideruar ato “të pasakta” dhe “një keqinformim të publikut dhe fajësim, si skenar i përsëritur, për një akuzë të rëndë që nuk qëndron në shpatullat e një koncesionari të huaj, pa mënjanuar kërkesat e Kontratës së Koncesionit që Tirana International Airport, TIA përmbush çdo ditë në lidhje me sigurinë aeroportuale”. Lidhur me deklarimin se ajo nuk ka njoftuar në kohë, kompania thekson se ka qenë “korrekte në përmbushjen e detyrave të saj në lidhje me ngjarjen sipas të gjitha rregullave dhe procedurave. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë, se ky njoftim është kryer në kohë kundrejt sallës operative të policisë në Rinas”.

Kompania tha se “në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, gjatë këtyre tre viteve nga

ngjarja e ngjashme në aeroport në 2016, ka marrë masa shtesë dhe ka ngritur në një nivel më lart sistemin e kamerave dhe gardhin rrethues. Bëjmë thirrje dhe lutemi për vëmendje të kuptojmë të gjithë, se forcat e policisë janë të pranishme në çdo cep të aeroportit si objekt i rëndësisë së veçantë, si

zonë kufitare dhe policia e ka detyrë ligjore, për të ruajtur rendin dhe jetën e qytetarëve në rast incidenti të armatosur. Aeroporti nuk është i kinezëve, është i gjithë shqiptarëve. Eshtë pjesë e territorit të Shqipërisë dhe mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit si çdo metër i këtij vendi”

Por, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, i shoqëruar nga zëvendësministri i Brendshëm dhe ai i Infrastrukturës, mbajtën të njejtin qëndrim lidhur me përgjegjësitë e kompanisë, edhe pas një takimi që patën në mbrëmje me drejtorin e TIA-s. “Po punojmë dhe për rritjen e parametrave të sigurisë që pavarëisht kërkesave të vazhdueshme të policisë së shtetit, për t’u kthyer në nivelin e duhur, brenda standarteve, në momente të caktuara nuk kemi gjetur bashkëpunimin e duhur nga kompania e cila është përgjegjëse për sigurinë e aeroportit”, tha Drejtori Veliu, duke shtuar se duke nisur nga sot “Shefi i komisariatit të Policisë Rinas, krahas detyrave për kontrollin e menaxhimin e kufirit, merr dhe përgjegjësinë të drejtimit, menaxhimit, kontrollit dhe bashkëpunimit me kompaninë për të bërë të mundur kthimin e sigurisë në ato parametra që kërkohen”.

Për ngjarjen reagoi sot përmes një deklarate publike edhe presidenti Ilir Meta. “Përsëritja e kësaj ngjarjeje brenda një objekti të sigurisë kaq të veçantë është e papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë të institucioneve të sigurisë”, deklaroi ai ndërsa kujtoi se çështja e sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”, kishte qenë objekt i diskutimeve dhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në maj të viti të shkuar. “Bazuar mbi raportet paraprake të përcjella nga institucionet përgjegjëse, kam ngritur në mënyrë të veçantë shqetësimin lidhur me mungesën e përgjegjësive të qarta mbi sigurinë në Aeroportin “Nënë Tereza” dhe mangësitë në akses dhe koordinim për ndërhyrjen e duhur të Policisë së Shtetit në rast rreziku”, theksoi presidenti, sipas të cilit “Në përfundim të mbledhjes së Këshillit, detyrat e dala për secilin institucion u janë përcjellë zyrtarisht të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 8 qershor 2018, sipas përgjegjësive përkatëse. Ndër këto detyra, është kërkuar ngritja urgjent e grupit të përbashkët të punës nën drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për trajtimin dhe zgjidhjen përfundimtare të të gjithë problematikës së sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”, sikurse u evidentua edhe gjatë ngjarjes së grabitjes së parë brenda pistës së fluturimeve”.

Për këtë arsye, ai deklaroi se konsideron ngjarjen e djeshme “cënim serioz të sigurisë kombëtare, rendit publik dhe imazhit të vendit”, dhe se i kërkon prokurorisë që krahas zbardhjes së grabitjes të hetohet dhe “për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të çdo institucioni dhe individi që nuk ka kryer detyrën”.

Për opozitën shqiptare grabitja në aeroport tregon se “shteti ka rënë. Kur në Rinas, që është zona me sigurinë më të lartë në vend kryhet grabitje me armë e avionit të linjes ndërkombëtare në mes të ditës, çdokush e kupton fare mirë se në çfarë niveli është policia, se në çfarë niveli është katandisur rendi dhe siguria publike”, deklaroi kryetari demokrat LUlzim Basha, i cili në mbrëmje e cilësoi “antikushtetues dhe të paligjshëm, dislokimin e forcave të armatosura ushtarake”.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, u shpreh më herët gjatë ditës se “imazhi i Shqipërisë dje ka pësuar një goditje të pariparueshme. Rendi po shkon keq e më keq. Dhe në vend të reflektimit. shteti po shkon te heqja e garancive dhe përgjegjësive, duke treguar qartazi që siguria e vendit është në dorë të Zotit, apo më mirë të themi në dorë të kriminelëve, po kurrsesi në dorë të shtetit, i cili ka detyrën e vetme tua bëjë jetën e lehtë dhe jo të vështirë atyre”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG