Lidhje

Shqipëri, Lleshaj: Protesta e dhunshme dhe e rrezikshme


Në Shqipëri, një ditë pas protestës së mbrëmshme qeveria dhe opozita shkëmbyen replika mes tyre. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, foli për një manifestim të dhunshëm e të rrezikshëm duke paralajmëruar se organizatorët dhe pjesmarrësit mund të përballen me akuza jo vetëm për cënim të rendit publik por dhe rendit kushtetues. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi u përgjigj duke deklaruar se në vend ka vetëm një grupim antikushtetues dhe kjo është qeveria e kryeministrit Rama. Për protestën e mbrëmshme janë arrestuar 37 persona ndërsa 24 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë

Pas protestës së mbrëmshme në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:34 0:00

Tensionet në protestën e mbrëmshme të opozitës u vunë re që gjatë qëndrimit përpara kryeministrisë. Ndërsa në drejtim të godinës u hodhën pa pushim tymuese, shashka e qese me bojë, në përfundim të fjalës së kryetarit demokrat Lulzim Basha, një grup manifestuesish çanë gardhin e policisë duke u ngjitur në shkallët e godinës së qeverisë.

Ndërsa këtu policia nuk ndërhyri, tensioni u rrit para selisë së parlamentit ku protesta u transferua më pas. Tymueseve dhe shashkave e në disa raste dhe të bombave molotov, forcat e rendit ju përgjigjën me gaz lotsjellës. Për më shumë se dy orë u duk se mes palëve po konsumohej një luftë nervash. Të paktën 5 policë u lënduan dhe morën ndihmë në spital, ndërsa opozita tha se 15 persona, mes tyre dhe gazetarë u plagosën apo u ndjenë keq për shkak të gazit lotsjellës.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli sot për “një protestë të dhunshme, të paligjshme dhe të rrezikshme”. Ai akuzoi organizatorët se “pabesisht e spostuan atë drejt parlamentit” dhe se nuk kishin marrë asnjë masë "për të garantuar që ajo të zhvillohej brenda kornizës ligjore. Përkundrazi, nga organizatorët në vend të marrjes së masave për sigurinë e protestës, ishin marrë masa për të hartuar plane sulmi, për të angazhuar grupe sulmi, dhe për të përdorur dhunë të mirëfilltë kundër institucioneve kushtetuese dhe Rendit publik. Gjatë protestës u përdor një arsenal i tërë lëndësh shpërthyese, të ndaluara, të rrezikshme, të cilat shkaktuan dhe dëme të mëdha qoftë materiale, qoftë për jetën e qytetarëve, apo të forcave të Rendit publik”.

Zoti Lleshaj deklaroi se përshkallëzimi i protestës po e zhvendos atë “nga një problem të rendit publik, në një problem të rendit kushtetues, që do të thotë se organizatorët dhe pjesmarrësit e saj mund të përballen së shpejti do të përballen me akuzat që kanë të bëjën me cënimin dhe sulmin ndaj organeve dhe rendit kushtetues të vendit”.

Nuk vonoi përgjigja nga demokratët. “Në Shqipëri ka vetëm një grupim antikushtetues dhe me pushtet të paligjshëm politik. Ky grupim është banda e Edi Ramës, i cili e ka blerë pushtetin me paratë e pista të krimit të organizuar. Shqiptarët e kanë ndarë mendjen! Nuk ka më kthim prapa! Edi Rama është një kufomë politike. Ai nuk ka as forcë, as moral të akuzojë apo të burgosë popullin e bashkuar kundër qeverisë së tij kriminale dhe ilegjitime!", deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.

Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi policinë për një një skenar të programuar mire dhe provokime të njëpasnjëshme për të future në kurth opozitën, u shpreh përfaqësuesi i saj Petrit Vasili.

Janë 37 persona të arrestuar për protestën e mbrëmshme, ndërsa 24 të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë. Opozita foli për dhunë ndaj tyre, ndërsa publikoi pamjet e një prej të arrestuarve i cili gjendej në spital për t’u kuruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG